Komploti për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve, avokatët e Tramp: Të pushohet çështja, ka imunitet presidencial

Avokatët e Donald Tramp i kërkuan një gjyqtari të enjten që të pushojë çështjen e përmbysjes së zgjedhjeve federale në Uashington kundër tij, duke argumentuar se republikani është i imunizuar nga ndjekja penale për veprimet që ata thonë se “janë ndërmarrë në rolin e tij zyrtar si president”.
Mocioni përbën sulmin më të mprehtë ndaj çështjes federale që akuzon Tramp për komplot për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 që ai humbi ndaj demokratit, Joe Biden, shkruan AP.
Aktpadia kundër ish-Presidentit amerikan Tramp përfshin akuza për komplot kundër Shteteve të Bashkuara dhe ndërhyrje ndaj dëshmitarëve, një rast i pashembullt ku një ish president akuzohet se u përpoq të minojë bazat e demokracisë, për të qëndruar në pushtet.
Ai akuzohet se së bashku me aleatët e tij u përpoq në mënyrë të paligjshme të përmbyste rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, megjithëse kishte humbur ndaj rivalit demokrat Joe Biden.
Përpjekjet e tij, që në fund dështuan, kulmuan me protestën e dhunshme të përkrahësve të tij në Kapitol, një prej kërcënimeve më serioze ndaj demokracisë amerikane në historinë moderne.
Në javët që pasuan zgjedhjet e vitit 2020, e deri tek dhuna ndaj Kapitolit më 6 janar të vitit 2021, zoti Tramp u bëri thirrje zyrtarëve zgjedhorë të ndryshonin rezultatin e votimit, i bëri presion ish Nënpresidentit Mike Pence të ndërpriste procesin e certifikimit dhe pretendoi pa të drejtë, se votat ishin vjedhur, një pretendim, që në mënyrë të përsëritur u hodh poshtë nga gjykatës të ndryshëm.
/rtsh.al/