E Martë, 3 Nëntor 2026

Rritja e emigracionit, Bajden miraton murin kufitar me Meksikën

Administrata e presidentit amerikan Xho Bajden (Joe Biden) do të ndërtojë një pjesë të murit kufitar në Teksasin jugor, në një përpjekje për të ndaluar rritjen e nivelit të emigracionit.

Rreth 32 km do të ndërtohen në kontenë Starr përgjatë kufirit të tij me Meksikën, ku zyrtarët raportojnë një numër të lartë kalimesh.

Ndërtimi i një muri kufitar ishte një politikë e Donald Tramp (Donald Trump) si president dhe i kundërshtuar ashpër nga demokratët.

Në vitin 2020, Bajden premtoi se nuk do të ndërtonte një mur tjetër nëse zgjidhej. Administrata e tij miratoi një deklaratë menjëherë pas marrjes së detyrës që thoshte se ndërtimi i një muri përtej kufirit jugor “nuk është një zgjidhje serioze politike”.

Doganat dhe Mbrojtja Kufitare e SHBA-së justifikoi masën e fundit, duke thënë se po përdorte fondet e alokuara tashmë për një pengesë kufitare.

Rritja e numrit të kalimeve të paligjshme kufitare e ka bërë çështjen të prekshme për presidentin Bajden. Më shumë se 245 mijë kalime janë bërë këtë vit vetëm në zonën e Luginës së Rio Grande, tregojnë të dhënat e qeverisë dhe shtatori pritet të jetë një muaj rekord.

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkutparashikoi se kostoja e strehimit për më shumë se 100 mijë të ardhurit e rinj që nga viti i kaluar do të rritet në 12 miliardë dollarë gjatë tre viteve të ardhshme.

Sekretari i Sigurisë Kombëtare i Presidentit Biden iu referua një “nevoje akute dhe imediate” për të ndërtuar seksionin e ri të murit dhe për të parandaluar hyrjet e paligjshme.

Është hera e parë që administrata Biden ka përdorur fuqitë e saj për të miratuar ndërtimin e mureve të reja. Ai është përballur me kritika në rritje për politikat e tij të imigracionit pas një rritjeje të fundit të emigrantëve që kalojnë në SHBA.

Patrulla Kufitare e SHBA-së kapi 181.059 persona përgjatë kufirit jugor në gusht, krahasuar me 132,648 në korrik, sipas të dhënave të fundit./ BBC

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›