Kompromise të dyanshme në dialogun Kosovë-Serbi

Kompromiset në marrëveshjet e paralajmëruara mes Kosovës dhe Serbisë do të jenë të barabarta, kanë bërë të ditura mediat kosovare.
Sipas mediave kosovare pakoja e marrëveshjeve për gjashtë çështje të ndryshme do të pranohet nga të dyja shtetet para pushimeve verore. Kjo pritet të ndodh në takimin e radhës të palëve, që do të mbahet më 2 korrik, e nëse do të ketë nevojë për konsulta shtesë, atëherë do të mbahet një takim tjetër nga mesi i muajit të ardhshëm.
Ndërkaq, marrëveshjet e arritura është parashikuar të publikohen nga lehtësuesi i bisedimeve, Robert Cooper, brenda muajit korrik.
Udhëheqja e ekipit kosovar të bisedimeve, Edita Tahiri, në një prononcim për Koha Ditore, ka thënë se arritja e marrëveshjeve para pushimeve ka qenë kërkesë e Qeverisë së Kosovës.
“Ne si Qeveri e Kosovës kemi kërkuar që kjo pako e marrëveshjeve të përfundojë para pushimeve, në mënyrë që t`u jepet rast zbatimit të tyre, por edhe monitorimit nga ana e BE-së, për arsye se zbatimi i tyre është shumë i rëndësishëm”, ka thënë Tahiri, e cila nuk ka folur për natyrën e marrëveshjeve që do të arrihen me Serbinë.
Burime diplomatike kanë shpjeguar se kompromiset do të jenë të barabarta, si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën.
Disa nga çështjet ky mendohet se Kosova ka bërë kompromis, sipas burimeve të gazetës, është çështja e targave të makinave, çështja e funksionimit të telekomit të Serbisë dhe tek dokumentat në dogana.
Ndërkaq, në çështjen e transmetimit të energjisë, në atë të lëvizjes së kosovarëve në Serbi dhe pjesërisht në dogana, mendohet se kompromisin e ka bërë Serbia.