E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komuna do të mbështesë aktivitetet teatrore

Në prag të fillimit të edicionit të 42-të të Festivalit të Teatrove të Kosovës, që mbahet në Ferizaj, kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka pritur të enjten drejtuesit e Teatrit Profesionist "Adriana", të cilëve u premtoi përkrahje të parezervë në organizimin jo vetëm të kësaj ngjarje me rëndësi kulturore, por edhe të aktiviteteve tjera që do t'i zhvilloj ky teatër.

Aliu ka thënë se nuk do të ketë shmangie nga agjenda e suksesve, ngase tashmë Ferizaj e ka traditën e organizimit të këtyre festivaleve.

"Në kuadër të përkushtimit tonë për të përkrahur aktivitetet kulturore, si komunë do të shtojmë buxhetin për këto aktivitete", ka thënë Aliu.

Në anën tjetër, drejtori i Teatrit "Adriana", Fatmir Hyseni, ka thënë se të gjitha përgatitjet për edicionin e 42 të Festivalit të Teatrove të Kosovës janë kryer, përfshirë programin dhe zgjedhjen e jurisë profesionale.

"Festival do të filloj me 26 tetor dhe do të zgjas deri më 1 nëntor. Këtë vit do të kemi 11 shfaqje teatrore, prej tyre 10 shfaqje konkurruese dhe një shfaqje mysafire", ka thënë Hyseni.

Ndryshe, u tha se komuna e Ferizajt deri në zgjidhjen përfundimtare të financimit të këtij teatri do të shtoj subvencionimin e aktiviteteve kulturore për 40 %.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›