Fiton tandemi lakuriq

Përmes fotografive me të cilat konkurroi, Majlinda Hoxha, synoi krijimin e një dialogu mes të kaluarës dhe së tashmes.
Si mjet lidhës përdori zhveshjen e saj. Ky koncept i pazakontë në fund iu shpërblye. Me fotografitë e titulluara “N’tandem”, Hoxha u shpall të martën për fituese të çmimit ‘Artistët e së Nesërmes’, duke triumfuar para tre artistëve të tjerë të rinj - Brilant Pireva, Yll Xhaferi dhe Luan Bajraktari – që po ashtu ishin finalistë të përzgjedhur për edicionin e 10’të të ekspozitës tradicionale të Galerisë së Arteve të Kosovës (GAK).
Ndryshe, Brilant Pireva u prezantua me instalacionin me temë jetesën jashtë vendit dhe, për pasojë, paaftësinë e komunikimit me komunitetin e vendlindjes, në Kosovë.
Luan Bajraktari u prezantua me 10 skulptura qeramike, të objekteve të zakonshme që simbolizojnë jetën dhe udhëtimin e tij nëpër Kosovë e Itali (ku jeton). Ndërkaq, Yll Xhaferi u prezantua me video-instalacion dhe fotografi, përmes të cilave e lokalizon vendlindjen e tij brenda Galerisë, gjegjësisht dashurinë dhe urrejtjen ndaj vendlindjes. Ekspozita “Artistët e së Nesërmes’ mbetet e hapur në GAK deri më 16 nëntor.