E Enjte, 5 Nëntor 2026

Koncensionari i pompave kërkon rritje të tarifës, Ibrahimaj: Grup pune për të shqyrtuar kërkesën!

Koncensionari i kontrollit të pompave në pikat e karburanteve ka kërkuar rritje të tarifës vjetore, në një kohë që çmimi i naftës dhe benzinës ka prekur nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë në vend.

Ministrja e financave Delina Ibrahimaj thotë se ka ngritur një grup teknik pune për të shqyrtuar kërkesën e koncensionarit por ende nuk ka asnjë vendim.

“Ministria e Financave, ka ngritur një grup pune për të vlerësuar nëse jemi në kushtet e ndryshimit të tarifave. Grupi teknik nuk ka dalë ende në një rezultat. Nuk ka asnjë nismë të Ministrisë së Financave për ndryshimin aq më pak për dyfishimin e tarifave. Unë nuk jam personi teknik për të vlerësuar kërkesat e koncesionarit. Grupi teknik do bëjë vlerësimin pavarësisht kërkesave të koncesionari”, tha Ibrahimaj.

Ibrahimaj lajmëroi gjithashtu se në fillim të muajit mars Tatimet dhe Inspekltoriati i Punës do të zbarkojnë në terren për të nisur kontrollet e deklarimit të pagave.

“Është një grup ndërinstitucional, i cili angazhon disa institucione me qëllim reduktimin e kësaj dukurie e cila prek jo vetëm të ardhurat në buxhetin e shtetit, por edhe mirëqenien e çdo qytetari. Ekipi ka vijuar me një punë intensive dhe inteligjente nga zyra, duke ndërthurur të dhëna nga disa institucione dhe data base. Grupi ka identifikuar një numër subjektesh që kanë risk më të lartë potencial për abuzim me deklarimin e pagave të punonjësve. Besoj se shumë shpejt do të nisin kontrollet si nga Inspektoriati i Punës dhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në një numër të ulët biznesesh, si fillim, sepse synimi ynë nuk është penalizimi, por sensibilizimi i biznesit për të përmbushur detyrimet tatimore, pra qëllimi ynë është vetdeklarimi i bizneseve dhe jo kontrolli apo ndëshkimi”, deklaroi ministrja.

Në bilancin për vitin që lamë pas, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë vlerësoi se rritja e të ardhurave është diktuar nga ecuria e mirë e ekonomisë por edhe nga fiskalizimi. Si tregues, Ibrahimaj solli rritjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar me 24 përqind në krahasim me 2020 dhe 22 përqind në raport me vitin 2019.

/rtsh/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›