E Martë, 3 Nëntor 2026

Koncert e panaire, qytetarë të shumtë festojnë Ditën e Verës në Elbasan

TIRANË, 14 mars/ATSH/ Pas një nate festive që elektrizoi qytetin, Elbasani vijon të festojë Ditën e Verës me një atmosferë akoma më të ngrohtë dhe plot traditë.

Në sofrën tradicionale elbasanase, e kthyer tashmë në një traditë të pandarë të kësaj feste, kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, mikpriti personalitete të njohura, miq të qytetit dhe vizitorë të shumtë.

Në qendër të kësaj sofre ishte ballokumja, ëmbëlsira simbol e Ditës së Verës, e cila u shijua nga të gjithë të pranishmit.

Ndërkohë, sheshi “Gensher” u kthye mbrëmjen e djeshme në një skenë gjigante muzikore, ku koncerti gala me emrat më të njohur të muzikës shqiptare si Alban Skënderaj, Soni Malaj, Anxhela Peristeri, Klint Çollaku, Englantina Toska dhe DJ, mbajti publikun të mbërthyer për orë të tëra.

Atmosfera festive ka pushtuar të gjithë qytetin, ku përveç koncerteve, janë organizuar edhe panaire me gatime tradicionale, artizanat dhe aktivitete të ndryshme kulturore.

Trafiku i këmbësorëve ka pushtuar qendrën e Elbasanit, ndërsa me qindra vizitorë nga qytete të tjera dhe turistë të huaj, kryesisht gjermanë dhe italianë, po shijojnë mikpritjen dhe traditën unike elbasanase.

“Dita e Verës është festa që bashkon të gjithë shqiptarët, por Elbasani mbetet zemra e kësaj tradite. Kjo është dita kur qyteti ynë ndriçon më shumë se kurrë,” u shpreh kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja.

Festimet do të vijojnë gjatë gjithë ditës, duke e bërë Elbasanin kryeqendrën e gëzimit dhe atmosferës festive në mbarë vendin.

1 nga 4

/k.s/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›