E Martë, 3 Nëntor 2026

U kthye pas studimeve në Itali për Logopedi, Rama: Shqipëria, mundësi për të bërë karrierë në të gjitha profesionet

TIRANË, 14 mars/ATSH/ Serxhio Pecaku pasi përfundoi studimet në Itali për Logopedi në terapitë neurologjike vendosi të kthehej në Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale shembullin e Pecakut, i cili ka sjellë në Shqipëri gjithë kulturën e logopedisë italiane përmes themelimit të tre klinikave që kanë marrë emrin Umano Felice.

‘Në këto klinika Serxhio bashkëpunon me specialistët më të mirë vendas e të huaj. Ai është i bindur se Shqipëria ka shumë mundësi për të bërë karrierë në të gjitha profesionet, dhe mbetet zgjedhja më e mirë që mund të bëjnë të rinjtë”, shkruan Rama.

Në videon e publikuar nga kryeministri Rama, Pecaku tha se “në vitin 2018 kam nisur studimet në Itali kam bërë një specializim në ndërhyrjet logopedike për fëmijët dhe adultët. Një master i nivelit të pare. Mendova pse të mos sjell të gjithë kulturën e logopedisë italiane në vendin tim. Sot jam themelues i tre klinikave “Umano felice””.

“Janë tre klinikat nga më të njohurat ku me bashkëpunëtorë vendas e të huaj japim një shërbim maksimal. Është shumë e qartë dhe e dukshme që Shqipëria gjatë gjithë viteve të fundit ka ndryshuar pa masë. Jo pa qëllim edhe unë duke parë zhvillimet e kohëve të fundit që janë bërë atëherë mendova pse të mos jem në Shqipëri dhe ta bëj këtë gjë këtu”, tha Pecaku.

Pecaku u shpreh se “tani janë italianët që punojnë në Shqipëri, janë ata të cilat kanë sjëllë kulturën e tyre në klinikën “Umano Felice”.

Pecaku i bëri thirrje të rinjve të kthehen e të punojnë në Shqipëri.

“Ndaj sot ju ashtu si edhe unë duhet të vini të jetoni dhe punoni aty ku keni zemrën në Shqipëri”, tha Pecaku. /k.s/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›