Konferenca Ipeshkvnore Evropiane në Tiranë: Ja shkaqet pse jemi në krizë

Kardinalet gjate takimit me presidentin Topi
Mbledhja e Konferencës Ipeshkvnore Evropiane në Tiranë është e një rëndësie të madhe. Shumë media të huaja kanë raportuar për këtë eveniment. Është cilësuar si një takim për të gjetur rrugë të reja, për të dhënë mesazhe shprese në kohë krize. Megjithatë kryeministri ynë i befasoi kardinalët, të cilët janë mbledhur për krizën, por Berisha u tregoi për mrekullinë ekonomike shqiptare. Ne kemi provuar dhembjen, sakrificat, por ju garantoj se ritmet e ndryshimit të këtij vendi janë më të shpejtat që mund të jenë regjistruar ndonjë herë. Tetëmbëdhjetë vjet më parë të ardhurat për frymë ishin 204 dollarë, ndërsa sot janë rreth 8000 dollarë, u tha Berisha atyre. Më poshtë është një raport i Radio Vatikanit për këtë takim me titull Shkaqet e Krizës.
Europa kërcënohet jo vetëm nga një kolaps ekonomik. Për kreun e Këshillit të Konferencës Evropiane të Peshkopëve, kardinalin Peter Erdë, ka shkaqe më të thella për krizën, që duhen kërkuar në fushën antropologjiko- etike. Një gjë të tillë e theksoi kardinali në fjalimin hapës të mbledhjes së plotë të konferencës evropiane të peshkopëve në Tiranë. Konkretisht, primati hungarez ka theksuar këto simptoma të krizës: shpërbërjen e familjes, humbjen e cilësisë në arsimin publik dhe në media, abuzimin me drogat nga adoleshentët, numrin e madh të aborteve në Europë si dhe ndihmën që jepet për eutanazinë, e cila praktikohet në disa vende. Kjo tregon qartë se sa e nevojshme është që të përhapet mesazhi i Jezusit, tha kardinali. Këshilli i Konferencës Europiane të Peshkopëve do të mblidhet deri të dielën në kryeqytetin shqiptar, Tiranë. Gjatë mbledhjes së plotë do të zgjidhet presidenca e re për pesë vitet e ardhshme.