Konferenca e Kryetarëve, Blushi: Tërhiqni nga kalendari projektligjin “Për Barazinë Gjinore”

Kreu i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi në mbledhjen e sotme të Konferencës së Kryetarëve ka kërkuar tërheqjen nga kalendari të projektligjit “Për Barazinë Gjinore”.
Sipas Blushit nuk ka asnjë urgjencë në kalimin e këtij pr.ligjit, ndërsa shtoi se kjo nismë godet në ADN vlerat e familjes dhe kombit shqiptar.
“Kush është urgjenca për miratimin e këtij ligji? Ka vetëm burrë e grua dhe vetëm nënë e baba. Hiqni dore nga marrëzitë e gjinive të tjera. Mos prekni termat nënë dhe babë, burrë e grua. Kjo nismë godet në ADN vlerat e familjes dhe kombit shqiptar.
Dëgjoni thirrjen e Komuniteteve të nderuara fetare që në unison janë kundër draftit. Pretendoni se jeni konsultuar me grupe interesi. Po a ka grup me te madh interesi se komunitetet fetare?
Pretendoni se keni folur me eurodeputetë. Me cilët? Me ata që promovojnë axhendat e Soros? Sllovakia e miratoi me Kushtetute, ka vetëm dy gjini burrë e grua. Sllovakia a nuk është në BE?
Nuk na kompleksoni me idenë që kemi folur me eurodeputetë se para se të jemi europianë, ne jemi shqiptarë. Ndalni urgjentisht axhendat antikombëtare dhe antifamilje”, deklaroi Blushi.
/rtsh.al/