Konferenca e Kryetarëve, Boçi-mazhorancës: Garantoni votimin e rezolutës për gjenocidin serb dhe ne marrin pjesë në protestën e UÇK

Në Konferencën e Kryetarëve, deputeti Agron Gjekmarkaj akuzoi sot mazhorancën se po “merr peng” punën e Parlamentit. Gjekmarkaj u ndal te tensionet që kanë shoqëruar seancat e fundit plenare dhe ndryshimet në praktikën parlamentare, që sipas tij po kufizojnë hapësirat e debatit dhe kontrollit mbi qeverisjen.
“Ju po përpiqeni të depersonalizoni Opozitën, por ne fakt po depersonalizoni vetveten,” tha Gjekmarkaj, duke paralajmëruar se përpjekjet për të ngushtuar liritë e opozitës do të çojnë në zvogëlimin e lirive politike dhe njerëzore të të gjithëve.
Deputeti demokrat shprehu shqetësim për “zhbërjen e pluralizmit” dhe paralajmëroi se ndryshimet e fundit në sjelljen dhe vendimmarrjen brenda mazhorancës po çojnë në një situatë të paprecedentë: “Nëse ju të dy keni marrë përsipër të zhbëni pluralizmin dhe opozitën mund të vëmë një bast publik që një ditë do të zhbëni vetveten”, tha ai.
Nga ana e tij, Belind Këlliçi iu bashkua kritikës, duke akuzuar mazhorancën se po “ngushton hapësirat që ka opozita në Kuvend” dhe se veprimet e fundit janë “antikushtetuese dhe të papranueshme”. Këlliçi theksoi se opozita nuk synon trazira, por se sjelljet e mazhorancës po detyrojnë reagime të forta, të imponuara nga shkelja e rregullave dhe e Kushtetutës.
Deputeti demokrat Luçiano Boçi ka sfiduar mazhorancën duke i kërkuar garanci se do të votojnë rezolutën për gjenocidin serb në Kosovë me qëllim që opozita t’i bashkohet protestës së sotme në mbështetje të UÇK-së.
Boçi kërkoi nga mazhoranca veprime konkrete për të treguar ndjeshmërinë dhe dashurinë për Kosovën duke votuar rezolutën për gjenocidin serb.
“Po ju them këtu jepni garanci sot, këtu në Konferencën e Kryetarëve, se javën tjetër do të votoni Rezolutën për gjenocidin serb në Kosovë. Dhe ne jo vetëm që do të marrim pjesë në protestë, por, nëse doni, unë vetë mbaj fjalim atje. Por ju lutem, mos bëni politikë me dhimbjen e atyre familjeve që kanë humbur të afërmit e tyre në luftë; mos e ktheni gjakun e dëshmorëve dhe të rënëve në rekuizitë politike.
Tregoni me veprime konkrete se e doni Kosovën, luftën, pavarësinë e saj dhe komandantët e saj, jo vetëm me fjalë e fjalime. “Scripta manent, verba volant”.
Rezoluta shkruan historinë, dhe votimi i saj na fut në histori, jo mitingjet partiake që e kthejnë historinë në rekuizitë për interesa politike”, deklaroi Boçi.
/rtsh.al/