E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferenca e Kryetarëve: Në kalendarin 3-javor kodet dhe Gjykata Administrative

02/02/2012  Opozita voton për përfshirjen e ligjeve me 3/5-at në kalendarin e punimeve parlamentare

Konferenca e Kryetarëve miratoi dje me konsensus kalendarin trejavor të punimeve të Kuvendit për periudhën 6 shkurt-24 shkurt 2012. Në punimet parlamentare mazhoranca dhe opozita kanë rënë dakord që në kalendar të përfshihen projektligje që kërkojnë 3/5-at e deputetëve të Kuvendit. Bëhet fjalë për projektligjin për krijimin e gjykatave administrative dhe ndryshimet në Kodin Civil e Penal. Në ndryshim nga mbledhja e parë për këtë sesion parlamentar, në mbledhjen e sotme kalendari u miratua me konsensusin e mazhorancës dhe opozitës. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Kuvendit, bëhet me dije se “kalendari përmban shqyrtimin brenda këtij harku kohor në komisione dhe seancë plenare të projektligjeve me 3/5-at, si ndryshimet në Kodin Penal dhe Kodin Civil.” Sipas vendimit të marrë dje nga krerët e grupeve parlamentare, bëhet me dijet se në Komisionet Parlamentare midis të tjerave do të diskutohen edhe projektligje shumë të rëndësishme, si projektligji “Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative”, i njohur si projektligji për Gjykatën Administrative, mbetur peng në Kuvend prej dy vjetësh për shkak të mosmarrëveshjeve mes opozitës dhe mazhorancës. Në mbledhjen e 12 janarit, e para për sesionin e ri parlamentar, mazhoranca dhe opozita dhanë shenjat e para të prishjes së mundshme të konsensusit mes tyre të arritur më 14 nëntor të vitit të kaluar. Debati për përfshirjen në punimet e Kuvendit të ligjeve me 3/5-at dhe bashkëpunimi për reformat u mbyll me braktisjen e punimeve të Konferencës nga ana e opozitës pa miratuar kalendarin e punimeve të Kuvendit. Incidenti ndodhi pasi socialistët kërkuan që këto projektligje të mos përfshihen në kalendarin e punimeve të Kuvendit. Kryetari i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi kërkoi që këto projektligje të hiqen nga kalendari, me argumentin se opozita ka nevojë për më shumë kohë për shqyrtimin e tyre. Por sipas njoftimit zyrtar të Kuvendit u bë me dije se “Konferenca përcolli me shqetësim kërkesën e kryetarit të grupit të Partisë Socialiste Gramoz Ruçi për të hequr nga kalendari projektligjet e mbetura që kërkojnë shumicë të cilësuar, si një kërkesë që rrezikon seriozisht implementimin në kohë të marrëveshjes së 14 nëntorit 2011”.

Konsensusi PD-PS për reformat

Mazhoranca e opozita më 14 nëntor 2011 arritën një marrëveshje politike, e cila parashikonte krijimin e komisionit për reformën zgjedhore, krijimin e një grupi pune për rishikimin e projektligjeve që kërkojnë 3/5-at e votave. Për herë të parë pas dy vjet e gjysmë në seancat plenare të Kuvendit PS-ja bashkoi votat e saj me PD-në dhe miratuan disa projektligje me shumicë të cilësuar prej 84 votash. Por me krisjen e konsensusit të arritur mes partive të mëdha në Konferencën e Kryetarëve të 12 janarit u rikthye në skenë refuzimi i radhës i statusit të vendit kandidat për Shqipërinë nga BE-ja. Reforma zgjedhore, parlamentare dhe ajo në drejtësi, të kërkuara me ngulm prej partnerëve ndërkombëtarë, mbeten kushtet thelbësore për marrjen e statusit në qershor të këtij viti. Gjithçka varet nga vullneti i palëve për të vijuar ose jo bashkëpunimin mes tyre gjatë këtyre muajve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›