E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis hetimi edhe për financat e Aleancës Kuqezi

02/02/2012  Komisioni për shkarkimin e Kreshnik Spahiut bën publike të dhënat e para të hetimit

Alibeaj: Kushtetuta i hap rrugë shkarkimit të nënkryetarit të KLD-së nga Kuvendi

Të gjitha faturat dhe shpenzimet e KLD-së të bëra që nga marsi i vitit të kaluar, që përkon me krijimin e Aleancës Kuqezi, do të jenë pjesë e hetimit parlamentar për Kreshnik Spahiun. Komisioni Hetimor parlamentar theksoi se kjo bëhet për të verifikuar nëse nënkryetari i KLD-së ka përdorur paratë e shtetit për tubimet e tij politike edhe në kontinente të tjera. Sipas kreut të këtij komisioni, Enkelejd Alibeaj, raporti i auditit për KLD-në do të bëhet publik më 9 shkurt. “Do të mbahet procesverbali përkatës për ekspertizat apo dhe dëshmitë e marra. Në këtë rast do të jetë një ekspertizë e karakterit financiar në lidhje me drejtimin e menaxhimin e burimeve financiare të KLD-së. Jo vetëm mbledhje të materialeve shkresore, por ndoshta edhe një proces të mbikëqyrjes në vend të dokumentacionit. Dokumentet shkresore, pamjet filmike, përmbledhja e medies së shkruar do të merren pranë burimeve të drejtpërdrejta”, - tha Alibeaj. Shkarkimi i Spahiut do të propozohet në mes të këtij muaji për t’u votuar në Kuvend. Ndërkaq mbetet e paqartë nëse vendimi i Kuvendit do të ekzekutohet automatikisht apo do të kërkohet vendimi i KLD-së.

Analiza kushtetuese

Ndonëse nuk është i përcaktuar në Kushtetutë, shkarkimi i anëtarit të KLD-së, sipas kryetarit të Komisionit Hetimor, mund të bëhet me akt normativ nga institucioni propozues, pra Kuvendi. “Mandati që një anëtar i KLD-së, i zgjedhshëm, është subjekt i mekanizmit të kontrollit respektiv nga organet e emërtesës. Tre anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi kontrollohen nga Kuvendi. Për figurat që kushtetutshmërish qëndrojnë më lart hierarkisht se zëvendëskryetari i KLD-së, Kushtetuta jonë ka parashikuar një mbrojtje më të fortë dhe më të ngurtë, duke parashikuar ajo vetë rastet dhe mekanizmin e shkarkimit. Kjo do të thotë se nuk ka dashur ta delegojë te ligji (si normë që ka fuqi më pak se Kushtetuta). Kurse për rastet e tjera, kur Kushtetuta hesht, kjo do të thotë se ajo vetë ka dashur që mekanizmat të mund të delegohen te përmbajtja e ligjit. Pra, mbrojtja që u ofron Kushtetuta këtyre rasteve është më e vogël. Përfundimisht mandati që një anëtar i KLD-së i zgjedhshëm është subjekt i mekanizmave të kontrollit respektiv nga organet e emërtesës”, – sqaroi dje Alibeaj.

Analiza e fakteve

Sipas një analize paraprake të komisionit, Spahiu ka bërë mbi 43 tubime në kuadër të Aleancës, ndër to vetëm 11 jashtë orarit zyrtar të punës. Po ashtu në cilësinë e nënkryetarit të KLD-së ai ka mbajtur korrespondencë me krerët e shtetit të Kosovës, të Greqisë e Serbisë, por jo për çështje të gjyqësorit. “Në përmbajtjen e këtyre letrave, të trajtuara prej tij si veprime shtetërore të karakterit diplomatik ndërshtetëror, nuk trajtohet asnjë çështje e sistemit gjyqësor, mbarëfunksionimit të KLD-së apo bashkëpunimit eventual mes sistemeve gjyqësore respektive, çështje këto që janë brenda limiteve të detyrës së anëtarit dhe zëvendëskryetarit të KLD-së”, – tha Alibeaj.

Udhëtimet jashtë shtetit

“Ky shtetas ka bërë një numër të konsiderueshëm udhëtimesh jashtë territorit shqiptar, teksa përsëri nën petkun e nënkryetarit të KLD-së ka propaganduar se ka realizuar takime me shtetas shqiptarë. Në asnjë rast nuk rezulton të jetë diskutuar apo shqyrtuar problematika e funksionimit të KLD-së apo analiza të sistemit gjyqësor, çështje të rritjes së mekanizmave të promovimit të gjyqtarëve, trajnimit të tyre, apo çështje të reformës në drejtësi”, – tha Alibeaj.

Veprimtaria e Spahiut në KLD

Në vitin 2011 janë bërë 6 deklarata apo njoftime mbi veprimtari të KLD-së dhe 3 deklarata personale të K. Spahiut; më 2010-n janë bërë 7 deklarata për shtyp mbi veprimtari të KLD-së dhe 7 deklarata personale të K. Spahiut; më 2009-n janë bërë 20 njoftime për mbledhje të KLD-së dhe 4 deklarata personale të K. Spahiut. Gjatë 2011-s KLD-ja ka marrë 9 vendime; më 2010-n 14 vendime, ndërsa më 2009-n 27 vendime. Gjatë viteve 2009-2010 KLD-ja ka zhvilluar 32 mbledhje, ndërsa për 2011-n s’ka asnjë informacion.

Veprimtaria e Spahiut në AK

Duke filluar nga muaji mars 2011 e deri më 17.01.2012 funksionari Kreshnik Spahiu ka realizuar mbi 43 veprimtari të tipit organizim apo tubim me pjesëmarrje të drejtpërdrejtë të tij, madje i pozicionuar në rolin e drejtuesit dhe projektuesit të tyre. Pra, së paku 5 veprimtari të tilla në çdo muaj. Vetëm në 11 raste këto tubime apo organizime janë organizuar në ditë pushimi. Këto veprimtari funksionari i mësipërm i ka kryer brenda ose në kuadrin e lëvizjes së nominuar si “Aleanca Kuqezi”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›