E Diel, 1 Nëntor 2026

Konferenca e Kryetarëve miraton pa konsensus kalendarin

Konferenca e Kryetarëve ka miratuar pa konsensus kalendarin e ri të punimeve të Kuvendit i cili nis punimet ditën e hënë. Kalendari i propozuar nga administrata e Kuvendit parashikonte fillimin e punës në komisione parlamentare të shqyrtimit dhe diskutimit të ligjeve të depozituara në Kuvend dhe të kodeve e projektligjeve që kërkojnë 3/5 por PS-ja ka kërkuar që këto projektligje të shtyhen.
Kryetari i Grupit të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi ka kërkuar heqjen nga kalendari pr/ligjet e mbetura që kërkojnë shumicë të cilësuar, si një kërkesë që rrezikon seriozisht implementimin në kohë të marrëveshjes së 14 nëntorit 2011. Por kjo nuk është pranuar nga mazhoranca e cila ka votuar që këto pr/ligje të mbeten në kalendar dhe të fillohet nga puna në komision për shqyrtimin e tyre, në përputhje me pikën I dhe pikën VII të Vendimit të Konferencës së Kryetarëve, datë 14 nëntor 2011.
Kështu për shkak të refuzimit të përfaqësuesve të PS-së për të filluar punën me këto pr/ligje, Konferenca e Kryetarëve miratoi kalendarin e ri të punës, pa konsensus.
Konferenca e Kryetarëve me shumicë votash përcaktoi si datë të parë të shqyrtimit në seancë plenare të këtyre pr/ligjeve, datën 2 shkurt 2012, në rendin e ditës së të cilës do të përfshihet shqyrtimi i Kodit civil.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›