E Diel, 1 Nëntor 2026

Konferenca javore për shtyp e zëdhënëses së Këshillit të Ministrave, njëkohësisht ministre e Integrimit, zonjës Majlinda Bregu

Zëdhënësja e Qeverisë, njëkohësisht ministre e Integrimit, zonja Majlinda Bregu tha sot gjatë konferencës për shtyp se në mbledhjen e parë të grupit të Punës Shqipëri-Bashkimi Europian për çështjet ekonomike, financiare dhe statistikore, në Kuadër të Marrëveshjes së Ndërmjetme, përfaqësuesit e BE-së mbështetën ligjin e qeverisë shqiptare për Auditin e Brëndshëm.
Zonja Bregu deklaroi se ekspertët e BE-së u treguan të gatshëm të asistojnë në tryeza debati me grupet e interesit në Tiranë, për të sqaruar se ligji për Auditin e Brëndshëm është në përputhje me standartet europiane dhe se nuk konkuron ligjin ekzistues për funksionimin dhe organizimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

"Sapo kthehem nga Bari, nga një takim të inicuar nga Qeveria italiane dhe Rajoni i Pulias për të diskutuar mbi mundësitë e përbashkëta të investimeve dhe ligjshmërinë në Shqipëri.
Ndërkohë ministri italian i Punëve të Jashtme, Massimo D'Alema konfirmoi se Italia dhe Shqipëria do të përfshihen në një aksion të përbashkët kundër krimit të organizuar. Sikurse u theksua, nga të gjithë pjesmarrësit fakti që krimi i organizuar nuk luftohet vetëm me strukturat qeveritare, por me vullnet të të gjitha Institucioneve të Drejtësisë.
Italia dhe Shqipëria kanë projekte të përbashkëta madhore të zhvillimit ekonomik, ndërsa u vlerësua fakti që tashmë Shqipëria është shkëputur përfundimisht nga koha e emergjencave dhe ekziston një klimë e favorshme për investimet e huaja.
-Kryeministri Berisha, sikurse jeni informuar, prezantoi të enjten në Këshillin e Ambasadorëve të Aleancës së Atlantikut të Veriut progresin e Shqipërisë në proçesin e reformave për anëtarësimin në NATO.
Zoti Berisha pati edhe një takim me Komisionerin Europian për Zgjerimin, Olli Rehn, i cili përgëzoi Shqipërinë për zbatimin e Marrëveshjes së Ndërmjetme të Stabilizim- Asociimit dhe njoftoi akordimin e një fondi prej 200 milionë eurosh për projektet që afrojnë vendin drejt kësaj strukture europiane.
Në të njëjtën kohë, në 23 dhe 24 maj, paralel me takimet e nivelit të lartë të politikës shqiptare, në Bruksel u zhvillua mbledhja e parë e Grupit të Punës, Shqipëri- Bashkimi Europian për çështjet ekonomike, financiare dhe statistikore, në Kuadër të Marrëveshjes së Ndërmjetme.
Në këtë takim u vlerësua qëndrueshmëria e situatës makro- ekomonike në vend, përpjekjet e qeverisë shqiptare në konsolidimin e financave publike dhe politikave buxhetore, si dhe hapat e ndërmarrë për përmirësimin e kuadrit ligjor.
Përfaqësuesit e Bashkimit Europian dhe Drejtoria e Buxhetit u shprehën të habitur për kthimin e ligjit për Auditin e Brëndshëm. Ekspertët shprehën gatishmërinë e tyre për të marrë pjesë në çfardo tavoline pune që mund të organizohet në Tiranë, për të sqaruar grupet e interesit se ligji i përgatitur nga qeveria shqiptare për Auditin e Brendshëm është në përputhje me standartet europiane dhe nuk është konkurues me ligjin ekztistues për funksionimin dhe organizimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Ky progres në ecurinë e zbatimit të MSA-së identifikohet edhe nga fakti tjetër që Spanja ka depozituar në Sekretariatin e Këshillit, Instrumentin e ratifikimit të MSA-së.
Ndërkohë, në datën 5 qershor do të mblidhet në Bruksel Grupi konsultativ i Taskë- Forcës, Shqipëri- Bashkim Evropian, ku pala shqiptare do të raportojë për ecurinë në plotësimin e prioriteteve dhe rekomandimeve.

Zëdhënësja e Qeverisë, njëkohësisht Ministre e Integrimit, zonja Majlinda Bregu iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve;

Pyetje: Zonja Bregu a mund të na jepni detaje rreth deklaratës se rreth 200 persona të kërkuar mbrohen nga Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë ?
Zonja Bregu: Në panelin për ligjshmërinë që u mbajt në Konferencën e Barit u fol pikërisht për faktin se nuk mund të pretendohet që drejtësia në një vend, konkretisht në Shqipëri, të vendoset vetëm nga strukturat qeveritare. Ishte prokurori italian i antimafias, Ai që përmendi faktin se tashmë në Shqipëri ka 200 persona të cilët kërkohen dhe që nuk mund të ekstradohen për shkak të pengesave që nxjerr Prokuroria. Ministria e Drejtësisë orienton politikat për të përfaqësuar dhe për të patur drejtësi në një vend. Pikërisht këtë keni dëgjuar dje nga kryeministri Sali Berisha. Vështirësitë dhe pengesat që vijnë nga autoritete të tjera shqiptare sikurse është edhe Prokuroria, nuk mund të pengojnë vendosjen e rendit dhe të ligjshmërisë në Shqipëri. Pra, ishte një tërheqje vëmendjeje dhe një thirrje.

Pyetje: Si do të shpërndahet fondi prej 200 milionë eurosh, akorduar Shqipërisë nga Bashkimi Europian. A ka ndonjë afat kohor?
Zonja Bregu: Asistenca financiare prej 200 milionë eurosh, vjen në kuadër të programeve të përafrimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Tashmë jemi në fazën e programimit të fondeve IPA (Instrumenti i Para Aderimit). Asistenca komunitare ka ndryshuar destinacion, programi CARDS zëvendësohet me porgramin IPA(Instrumenti i Para Aderimit).
Shqipëria duke qenë në këtë fazë përfiton nga këto instrumente një shumë të caktuar, e cila do të përdoret për projekte dhe programe konkrete që synojnë përafrimin e saj në Bashkimin Europian.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›