Kryeministri Berisha promovon eksportet shqiptare në Lezhë
Kryeministri Berisha tha sot, gjatë një vizite në Stabilimentin e peshkut "Eurofish", në Lezhë, se qeveria do të bëjë çdo përpjekje për të mbështetur rritjen e eksporteve.
Kryeministri vizitoi ambientet e "Eurofish" pas rikonstruksionit me vlerë 2.5 milionë euro. Fabrika e përpunimit te peshkut "Eurofish" prodhon rreth 80 mijë produkte në muaj, të cilat eksportohen në tregjet e vendeve të Komunitetit Europian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Australisë dhe Japonisë.
Kryeministri Berisha përgëzoi sipërmarrësit italo - shqiptar për investimin e kryer ne këtë fabrike duke e shenderruar ate në një sipërmarrje me teknologji nga më modernet. Kryeministri tha se qeveria do të bëjë çdo përpjekje për të rritur eksportin e produkteve shqiptare.
"Potenciali i kësaj fabrike është shumë i madh. Qeveria do të bëjë çdo përpjekje për të nxitur peshkimin e sardeleve në ujërat shqiptare, të cilat janë shumë të pasura me këtë specie. Qeveria do ta shqyrtojë me shumë përparësi kërkesën që peshkatarët tanë të mund të disponojnë, kundrejt kredive, anijet e nevojshme për peshkimin e sardeleve, një peshk i vogël, por margaritar përsa i përket shijes"- tha Kryeministri.
Kryeministri Berisha shprehu mbështetjen e qeverisë për të gjitha sipërmarrjet eksportuese dhe vlerësoi se ky sektor alternon më së miri rritjen e prodhimit, punësimit dhe investimeve.
Zoti Berisha u shpreh se gjatë vitit 2006 , investimet janë katërfishuar, ndërsa eksportet jane 28 për qind më shumë sesa vitin e kaluar dhe kjo tha Kryeministri është shenja më e qartë e rritjes së prodhimit te brendshem, punësimit dhe investimeve.
Fabrika "Eurofish" është një investim italo – shqiptar që ka nisur aktivitetin e saj në vitin 1998 .