E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferencë e përbashkët për shtyp e Presidentit Topi dhe Presidentit të Republikës së Kosovës, Sejdiu.

3 nëntor 2008

Presidenti Topi: I nderuar President Sejdiu! Të nderuar përfaqësues të medias, të nderuar miq! Kam rastin të jem këtu pranë jush për të shprehur kënaqësinë time të veçantë për këtë vizitë historike të Presidentit Sejdiu në Tiranë, si Presidenti i parë i Republikës së Kosovës, një shtet i lirë, sovran dhe i pavarur dhe për vizitën e parë zyrtare në Shqipëri. Me zotin Sejdiu, qoftë në takimet konfidenciale, qoftë në takimet e punës, shprehet kënaqësia reciproke për mikpritjen e lartë dhe për ato marrëdhënie të shkëlqyera që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Kosovës. Këto takime shprehin predispozicionin që këto marrëdhënie të vazhdojnë e të intensifikohen në të gjitha planet, qoftë në nivelin politik, qoftë në nivelin institucional, qoftë në marrëdhëniet e biznesit, por dhe në marrëdhëniet e të gjitha fushave që ekzistojnë, si mundësi potenciale që të forcohen marrëdhëniet midis dy vendeve tona dhe një moment të rrallë, jo vetëm për dy vendet tona, por për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Them që është ..., sepse gjatë një periudhe relativisht të shkurtër janë realizuar momente të rëndësishme historike qoftë për Shqipërinë, qoftë për Kosovën. Shqipëria brenda disa muajve do të jetë anëtare me të drejta të plota e Organizatës së Atlantikut të Veriut. Shqipëria po ecën çdo ditë duke bërë progres të dukshëm në rrugën e integrimit në komunitetin europian. Kosova, nga ana saj, pas datës 17 shkurt, është një shtet i lirë, sovran dhe i pavarur, ndërsa roli i Shqipërisë në rajon është i dukshëm si një vend moderator, si një vend shumë konstruktiv, rol që i vjen jo thjesht vetëm nëpërmjet rolit të institucionit të lidershipit, dhe pa diskutim, si kontribut i të gjitha forcave politike, por vjen edhe si rezultat i një sjelljeje mjaft civile të të gjithë faktorit qytetar në terren, në rajon, kudo ku ai jeton.

Vendet tona dhe vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një shprehje eksplicite, të qartë, për të ardhmen e tyre euroatlantike dhe të gjithë janë të predispozuar që të punojnë në këtë linjë. Ne e konsiderojmë rolin e Kosovës, të institucioneve të saj, pavarësinë e Kosovës, si një element të qënësishëm në funksion të stabilitetit rajonal. Kjo vlerësohet jo thjesht prej meje, por vlerësohet nga e gjithë bota, vlerësohet nga të gjitha institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare dhe ajo që vlerësohet akoma më shumë është pikërisht roli i lidershipit institucional dhe i politikës.

Brenda një periudhe të shkurtër, i nderuar zoti President, ne konstatojmë me kënaqësi, që atje është vendosur një qetësi dhe një ekuilibër i rëndësishëm institucional dhe shoqëror. Kosova po projektohet gjithnjë e më shumë si një shtet multietnik, në respekt të të drejtave të qytetarëve, të të drejtave të minoriteteve, në një vend ku çdo ditë implementohen rritje me standarde europiane, në funksion të zhvillimit të një shteti me parametrat e demokracisë, të shtetit të së drejtës, një shtet i cili ka nevojë patjetër që të projektohet si i tillë, me të gjitha standardet, dhe padyshim vlerësoj të gjithë predispozicionin e institucioneve në mënyrë reciproke, për të rritur shkëmbimin e mendimeve të të gjitha grupeve të interesit, qoftë në nivel politik, institucional e të grupeve të biznesit në dy vendet tona.

Vlerësuam me Presidentin si një moment shumë të rëndësishëm infrastrukturor, që nuk mund të jetë infrastrukturor thjesht në kuptimin fizik të fjalës, pikërisht, ndërtimin e rrugës që çdo ditë po e afron përherë e më shumë Shqipërinë me Kosovën, sepse është linja e komunikimit midis njerëzve, linja e shkëmbimit të mallrave dhe rivendosja e një të drejte historike, e cila i është mohuar në dekada pikërisht zonave ku jetojnë banorë të cilët konsiderohen banorët më të hershëm të kontinentit. Kjo gjë po realizohet sot. Jam i bindur që rruga që lidh Durrësin me Morinën, me Kosovën, do të jetë një rrugë që do t’i shërbejë edhe popujve të tjerë, sepse sot sikurse thashë, e ardhmja nuk i përket thjesht marrëdhënieve midis dy vendeve tona, por marrëdhënieve shumë komplekse që ekzistojnë midis vendeve dhe popujve të Ballkanit, të cilët, do të jenë patjetër nesër shumë afër të gjitha standardeve qoftë politike, ekonomike dhe shoqërore në kontinent, ku ne kemi bërë pjesë hsitorikisht. Me Presidentin Sejdiu diskutuam rreth çështjeve të tilla që kanë të bëjnë me situatën në Kosovë, me nevojën e funksionimit sa më të shpejtë të misionit të EULEX-it, në mënyrë që situata në Kosovë të normalizohet në të gjitha linjat e funksionimit, qoftë politik, qoftë administrativ, në mënyrë që Kosova të funksionojë sa më shpejt si një shtet me të gjitha standardet e tij. Në mënyrë të padiskutueshme, pozicioni i Shqipërisë, i popullit shqiptar, i Isntitucioneve të Shqipërisë, është që çështja e Kosovës është një çështje që konsiderohet e përfunduar nga pikëpamja e njohjes, e konstituimit të saj. Nuk mund të ketë më rikthim tek çështjet e vjetra, nuk mund të ketë skenar për ndarje të Kosovës. Kosova do të projektohet si e tillë në tërë integritetin e saj, ashtu sikurse është njohur nga populli i Kosovës, nga bota më e rëndësishme e institucioneve ndërkombëtare, si një vend integral, si një vend që do t’i kontribuojë ndjeshëm paqes dhe stabilitetit rajonal.

Diskutuam me Presidentin Sejdiu për të gjitha mundësitë e shkëmbimit të këtyre vizitave reciproke në të gjitha fushat. Presidenti Sejdiu sot do të ketë dhe takime të tjera shumë të rëndësishme, ku do të diskutohen edhe projekte specifike, që do t’i kontribuojnë pikërisht kësaj klime që ekziston sot, por që nesër do të jetë akoma dhe më e mirë. Edhe një herë zoti President, ju faleminderit për këtë vizitë. Ndihemi shumë të nderuar që ju kemi sot këtu, dhe besoj që nëpërmjet jush kam dëshirën që t’i dërgoj përshëndetjet më të mira të gjitha institucioneve, popullit të Kosovës dhe t’ju falenderoj dhe një herë të gjithëve, juve personalisht, të gjitha personalitetet më të rëndësishme, popullin e Kosovës, për atë vizitë dhe atë mikpritje që realizuat, vizitën time të parë zyrtare në Kosovë, vizitë që ishte në prag të shpalljes së pavarësisë me bindjen që këto vizita do të shkëmbehen në mënyrë frekuente midis nesh.

Faleminderit!

Presidenti Sejdiu: Ju faleminderit zoti President! Unë dëshiroj edhe një herë të shpreh falenderimet në radhë të parë të popullit dhe të institucioneve demokratike të Kosovës për mbështetjen e fuqishme që i keni dhënë Kosovës në procese të gjata kohore, të shpreh falenderimin për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë që në tipin e veçantë kanë shprehur mbështetjen e tyre edhe personale për të gjithë qytetarët e Kosovës në kohët më të vështira që kemi kapërcyer. Një falenderim shumë të veçantë për mbështetjen që i keni dhënë në radhë të parë lirisë njerëzore, ose ajo që është fundamenti i ekzistencës së qënies njeri dhe të shpreh falenderimin e madh për mbështetjet e veçanta që i keni dhënë Kosovës në procese të tjera të ndërtimit të saj si shtet demokratik dhe sovran.

Për ne është shumë e rëndësishme të theksojmë edhe një herë se mbështetja e Shqipërisë ka qenë shumë dimensionale dhe është shtrirë në rrafshe të shumta pastaj që janë mbështetje për një periudhë të gjatë kohore dhe veçanërisht në atë që e kemi theksuar në përmbylljen e ciklit të mëvetësisë së saj si në planin ndërkombëtar, si në planet e tjera. Për ne është shumë e rëndësishme që do të shërbejë përvoja juaj e kapërcimit të shumë sfidave, për të zhvilluar dhe ndërtuar vetveten si një shtet demokratik i vlerave evropiane dhe për të qenë model i mirë për nxitimet që ne duhet t’i bëjmë. Kemi një objektiv të përbashkët që Kosova dhe Shqipëria si dhe vendet e tjera të rajonit të hyjnë në një lëvizje të përshpejtuar të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Na gëzon fakti që Shqipëria ka kapërcyer sfida të mëdha, që ka marrë ftesën që të jetë anëtare e NATO-s dhe se kjo cilësi që ka do të jetë nxitje për të mirë edhe për Republikën e Kosovës. Prandaj kemi hyrë në rrafshe të reja pas 17 shkurtit. Unë dëshiroj edhe një herë zoti President, t’ju falenderoj ju personalisht, Kryeministrin Berisha, Kryetaren e Parlamentit, pozitën dhe opozitën dhe të gjithë udhëheqësit e shtetit shqiptar që kanë bërë punë të jashtëzakonshme në mbështetjet që i janë dhënë Kosovës së shumfishtë. Falenderoj rrethin diplomatik tuajin në gjithë misionet që ekzistojnë në veçanti me ata që kemi pasë kontakte të përhershme, sidomos në Uashington, Nju Jork, Bruksel dhe Vjenë, por edhe vende të tjera që kanë bërë angazhim të pashoq në mbështetje të delegacioneve të Kosovës dhe që bëjnë mbështetje të vazhdueshme edhe tash në procesin e njohjes së mëtejshme të Kosovës. Për ne është me rëndësi që kemi 52 shtete që e kanë njohë Kosovën, që është mbyllë cikli i vendeve të rajonit me njohjen e pavarësisë së Kosovës flas me këtë rast të veçantë për Republikën e Malit të Zi dhe Republikën e Maqedonisë dhe është një sinjal i veçantë që hap një kapitull të ri të bashkëpunimeve tona rajonale. Prandaj do të kemi shumë hapësirë për bashkëpunimin tonë të mëtejshëm dhe mendoj që kjo përvojë që Shqipëria ka kapërcyer edhe në ndërtimin e saj demokratik të vetvetes, me shembujt e jashtëzakonshëm të sfidave që ju keni kapërcyer do të jenë edhe për Kosovën të përshtatshme. Ju faleminderit për këtë mundësi që na keni dhënë që të jemi bashkë me ju sot në Tiranë dhe të bisedojmë natyrisht dhe të trajtojmë edhe shumë aspekte të tjera të rëndësisë sonë të veçantë në bashkëpunimin tonë të mëtejshëm.

Ju faleminderit!

Televizioni Publik Shqiptar : A kanë prekur bisedimet tuaja një strategji të re le të themi, për njohjen e pavarësisë së Kosovës, zgjerimin e shteteve që njohin pavarësinë e Kosovës. A e prekët ju këtë temë dhe nëse është e mundur të thoni diçka, detaje se si do të punojë diplomacia shqiptare dhe ajo e Kosovës në këtë drejtim?

Presidenti Sejdiu: Unë e thashë në pjesën e fundit të fjalës që ekziston një përqendrim i jashtëzakonshëm i shtetit shqiptar dhe i diplomacisë që ai të shtrirë në rrjetin e vet, në botë që të ndihmohet drejtëpërdrejtë njohja e mëtejme. Për ne është me shumë rëndësi që ne kemi këmbëngulë dhe kemi deri tash një njohje të jashtëzakonshme të vendeve në katër anët e botës, duke marrë parasysh që janë shtatë nga tetshi i madh, që janë më shumë se tre të katërtat e Bashkimit Evropian, se janë vende të cilat kryesisht me potencialin e tyre mbulojnë mbi 60% të produktit të përgjithshëm botëror, por kemi nevojë të kemi njohje edhe më tej. Shqipëria ka një rrjet të jashtëzakonshëm, ka miq mjaft dhe besoj që përmes miqve të saj, natyrisht që do të kemi një aksion të shtrirë të madh të mëtejshëm. Për ne është me rëndësi, e ripërsëris edhe një herë që është mbyllur pjesa e kornizës së vendeve fqinjë, përjashtimisht Republikës së Serbisë, që kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe kjo duke marrë parasysh njohjen e pavarësisë që u bë nga Republika e Malit të Zi dhe e Republikës së Maqedonisë në përgjigje të asaj që ishte një kërkesë e dërgimit të Kosovës dhe miqve të saj në Gjykatën Ndërkombëtare. Për ne është me rëndësi që ky proces është përgjigje pozitive. Për ne është me rëndësi që Shqipëria në këtë kuadër ka një angazhim të veçantë, por që natyrisht edhe diplomacia e Kosovës e mbështet dhe që nga ana tjetër do të vazhdojë me qasjen e vet praktike.

Radio Televizioni i Kosovës : Kam një pyetje të përbashkët për të dy Presidentët. Ju në prononcime folët, përmendët bashkëpunimin e të gjitha fushave dhe në atë ekonomike. Ndërkohë, statistikat respektive në Tiranë dhe në Prishtinë flasin për një nivel simbolik të bashkëpunimit dhe të shkëmbimeve tregtare edhe pse ekziston një marrëveshje e tregtisë së lirë e firmosur tashmë mes Tiranës dhe Prishtinës. Sa munden institucionet e Presidencës këtu në Tiranë dhe në Prishtinë të influencojnë tek bota, komuniteti biznesor dhe tek institucionet e tjera që ky nivel të jetë më i nivelit lartë dhe të eleminojnë burokracirat që vihen re në këto shkëmbime?

Presidenti Topi: Fakti që ne prononcohemi njëzëri për një rritje të bashkëpunimit, kjo vjen pikërisht edhe nga analiza e marrëdhënieve të deritanishme në nivelin ekonomik aktual dhe padyshim që marrëdhëniet dhe niveli i dialogut politik dhe situata e krijuar në rajon, situata e krijuar në rajon pas pavarësisë, imponon nevojën e stimulimit të marrëdhënieve ekonomike. Gjatë vizitës sime në Kosovë, kemi përuruar një dhomë që është përfaqësi e biznesit shqiptar pikërisht në Prishtinë dhe kemi pasur një prononcim të qartë të interesit nga përfaqësuesit e biznesit në të dy krahët, nga Shqipëria dhe nga Kosova. Unë po e them pa asnjë lloj hezitimi që marrëdhëniet do të jenë të natyrshme, do të kenë mbështetjen e padiskutueshme institucionale që vjen fillimisht nga zhvillimi i atyre memorandumeve dhe marrëveshjeve që janë realizuar deri tani, por edhe nga aprovimi i marrëveshjeve të reja në vija specifike. Marrëdhëniet do të jenë në shumë fusha, do të jenë në fushën e energjitikës, do të jenë në fushën e infrastrukturës, në fushën e bujqësisë dhe të ushqimit, në turizëm, në marrëdhënie midis universiteteve, të cilat ekzistojnë praktikisht, por duhen që patjetër të intensifikohen dhe padyshim, ajo që unë e thashë edhe në prononcimin tim, ndërtimi i rrugës në mënyrë të drejtëpërdrejtë, do të influencojë në rritjen e këtyre shkëmbimeve dhe nuk do të ketë thjesht shkëmbime që do të vijnë si pasojë e një biznesi të organizuar, por do të jetë edhe një shkëmbim marrëdhëniesh ekonomike të njerëzve të lirë, të thjeshtë, që do të kenë aksesin e padiskutueshëm për të shkëmbyer eksperiencën e tyre të biznesit në të dy krahët e kufirit. Ajo do të jetë një lehtësi, do të jetë patjetër një akses i domosdoshëm dhe mbetet vetëm kur të pritet çasti i përurimit të kësaj rruge dhe në mënyrë shumë të natyrshme do të kemi një rritje të ndjeshme të shkëmbimit midis biznesit në të dy krahët, qoftë nga Shqipëria, qoftë nga Kosova.

Patjetër edhe Shqipëria edhe Kosova janë në momentet e privatizimeve të rëndësishme. Eshtë shumë e rëndësishme të merret në konsideratë edhe ky fakt, që duhet të ketë suporte reciproke në mënyrë që potencialet ekonomike të konsumohen fillimisht brenda për brenda dy vendeve tona, ndonëse sot është një botë e hapur, një botë globale, ku konkurenca e tregut është në plan të parë, por duhet patjetër t’i japim një suport dhe një mbështetje edhe biznesit në të dy krahët e vendeve tona.

Presidenti Sejdiu: Unë mund të shtoj se ishte një nga fokuset e veçanta të bisedës që patëm, pra në segmente të thelluara në trajtimin e kësaj natyre të bashkëpunimit. Ajo që është shumë e rëndësishme është që edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë është krijuar një korpus i rëndësishëm legjislativ evropian që krijon bazën dhe mbështetjen për të pasur një lëvizje më të fuqishme në drejtim të bashkëpunimit ekonomik. Gjithmonë e them dhe e përdor edhe në këtë rast që është mirë që lëvizjet pozitive në kuadër të bashkëpunimit të bizneseve janë bërë nganjëherë jashtë pjesës së formaliteteve, pra kanë ecë me kualitetin e vet dhe për ne është shumë e rëndësishme që në këtë kuadër të një tregu më të gjerë, të brendshëm po e quaj, rajonal është klima politike e ndërtuar mes vendeve të rajonit. Prandaj është me rëndësi që të depërtojmë me kualitetin, me konkurencën në lidhjet bashkëkohëse të ekonomisë së tregut dhe paralelisht me këtë që të krijojmë një bashkëpunim të ndërlidhur në segmente të veçanta të specifikave të secilit vend. Për ne është me rëndësi që ky kuadër i bashkëpunimit dhe i lëvizjes së lirë të qytetarëve të realizohet. Unë dhashë idenë që duke mbështetur atë që e gjejmë gjatë muajve të verës, të lëvizjes së lirë të qytetarëve jo vetëm për pjesën e turizmit të jetë një pjesë e lëvizjes së lirë të qytetarëve përgjatë gjithë vitit. Prandaj s’do të ketë nevojë më në fund, kjo do të jetë një çështje që do të sugjerohet dhe nga qeveritë që secili vend të ketë pasaportë, por të ketë një lëvizje normale që është ajo që e gjejmë sot në Evropë, apo në Bashkimin Evropian dhe do jetë një shembull i parë i nxitimit kualitativ i ecjes sonë për të pas edhe aksesin edhe anëtarësimin e vendeve tona në të ardhmen shumë shpejt pikërisht me këto vlera dhe duke punuar këtu lart.

Televizioni Klan : Zoti Sejdiu, çfarë ndikimi do të kenë zgjedhjet amerikane për stabilitetin e Kosovës dhe zhvillimin e demokracisë në këtë shtet të ri tashmë?

Presidenti Sejdiu: Unë mund të them se Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithmonë e kanë mbështetur Kosovën në procese të rëndësishme që kemi kapërcyer dhe për ne është me rëndësi që gjithmonë kemi shikuar vullentin e popullit amerikan se për cilin president përcaktohen. Është vota e lirë ajo që nxjerr të merituarin dhe mbështetja e qytetarëve amerikanë dhe për ne është me rëndësi dhe bashkëpunimi do të vazhdojë në të njëjtat premisa. Është një politikë konstante që është udhëheqë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe në kohën kur kanë qenë republikanët në pushtet, edhe në kohën kur kanë qenë demokratët në pushtet, edhe në kohën kur ishin tash republikanët në pushtet edhe në kohën kur do të jetë ajo që do të qeverisë në kuptimin e mandatit që do të japin qytetarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për ne është me shumë rëndësi sepse është një miqësi e thellë dhe pa ekuivoke e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se jemi në një partneritet të rëndësishëm të bashkëpunimit në përgjithësi dhe në thellësinë e tij. Prandaj për ne është vetëm të përgëzojmë që ky proces të përfundojë në rrugën e vet dhe do të ecim në bashkëpunime të mëtejshme.

Radio Televizioni 21 : Një pyetje e përbashkët. Si pritet të manifestohet qasja e të dy vendeve në forcimin e bashëpunimit për sigurinë rajonale? U theksua në fakt nga të dy palët që do të punohet jashtëzonisht shumë në këtë drejtim për forcimin e sigurisë dhe bashkëpunimin rajonal.

Presidenti Topi: Një nga çështjet që kemi diskutuar ka qenë çështja e bashkëpunimit në fushën e sigurisë. Vendet tona e kanë jetike që të krijojnë një klimë të rëndësishme qetësie dhe stabiliteti. Janë dy vende të cilat kanë marrëveshje konkrete të bashkëpunimit në fushën e sigurisë, sepse ajo që i rrit reputacionin këtyre marrëdhënieve është pikërisht kontrolli i kufijve tanë, lufta kundër krimit të organizuar, kundër kontrabandës. Jam i bindur që ka një luftë dhe predispozicion institucional për një goditje të organizuar kundër krimit të organizuar. Z. Sejdiu mund ta dëshmojë vetë se Kosova është në një moment shumë të rëndësishëm të ndërtimit të institucioneve specifike. Ne jemi në fazën e konsolidimit të këtyre institucioneve të bashkëpunimit midis institucioneve specifike në fushën e sigurisë. Gjithçka nuk do bëhet në mënyrë voluntariste, por do bëhet mbi bazën e skemave të luftës kundër krimit të organizuar, kundër terrorizmit ndërkombëtar. Sepse shërbimet tona specifike, që janë në fushën e sigurisë kanë edhe një asistencë të rëndësishme të institucioneve më të rëndësishme ndërkombëtare që merren me sigurinë dhe jam i bindur që progresi që ne kemi bërë dhe progresi që po bëjnë institucionet e Kosovës do të garantojnë edhe një marrëdhënie shumë të kualifikuar në fushën e sigurisë. Dhe kjo siguri patjetër implantohet në sigurinë rajonale për të cilën ka shumë vlerësime pozitive sot, qoftë nga komuniteti europian, qoftë nga NATO dhe organizmat e tjera që mbulojnë fushat specifike të sigurisë. Patjetër që këto marrëdhënie do të intensifikohen, do të kualifikohen edhe mbi bazën e asaj që unë përmenda edhe pak më parë, atë të miratimit të një legjislacioni specifik nga parlamentet respektive, duke analizuar terma të rëndësishme të legjislacionit, por gjithmonë sipas standardeve të komunitetit europian dhe të NATO-s.

Presidenti Sejdiu: Unë nuk kam shumë të shtoj, por mund të them se jemi në çastet më të mira të mundshme të bashkëpunimit. Vlerësojmë lart përvojat që Republika e Shqipërisë ka kapërcyer në ndërtimin e mekanizmave të sigurisë dhe gjithmonë i quajmë si pjesë e preventivës të bashkëpunimit me qytetarët, por natyrisht edhe të bashkëpunimit ndërrajonal edhe fqinjësor. Kosova ka një bërthamë të mirë të organizuar tash në segmentet e sigurisë së vet. Ka një partneritet të jashtëzakonshëm me mekanizmat ndërkombëtarë dhe veçanërisht me prezencën e NATO-s dhe të trupave të saj, flas me të gjitha kontigjentet, dhe në ecje e sipër jemi në përmbyllje të ciklit të ndërtimit edhe të mekanizmave të tjerë të sigurisë që i duhen një shteti sovran. Dhe ne këtë do e bëjmë me standardet më të mira bashkëkohëse, do ta bëjmë në partneritet me miqtë e Kosovës dhe do të lëvizim po ashtu në një bashkëpunim total edhe midis dy vendeve tona dhe unë them që sikurse tha Presidenti Topi edhe në bashkëpunim me vende të tjera. Është e rëndësishme dhe qasja e përbashkët që bashkëpunimi kundër krimit të organizuar të jetë bashkëpunim në epiqendrën e plotë të veprimeve, i cili nënkupton që të mos ketë rezerva të hedhjes së topit të një vendi në një vend tjetër, apo në një vend të tretë, por është shumë e rëndësishme që të jetë në kuadër të sistemeve dhe premisave të bashkëpunimeve më të mira dhe bashkëkohëse. Prandaj këtë duhet ta bëjmë edhe në këtë kuadër po ashtu më gëzon fakti se as Shqipëria dhe as Kosova nuk mund të trajtohen si nganjëherë thirret nga gojë këqijtë si pjesë e tranzitit apo oazeve të krimit të organizuar. Për ne është me rëndësi që ekziston një stabilitet i rëndësishëm në vend. Është me shumë rëndësi që qytetarët e Kosovës janë bashkëpjesëmarrës në promovim të kësaj ecjeje dhe me këtë zhvillim të saj dhe se në këtë kohë do të ecet edhe në pjesën profesionale të rëndësishme.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›