Konferencë ndërkombëtare për vjedhjen e 20%-shit kombëtar
Kryesocialisti Edi Rama i është rikthyer hobit të tij të 20% të Bashkisë, por tashmë në një nivel qendror. Konferenca e ndërkombëtare “Shqipëria e Gjeneratës së Re”, e cila që në takimin e parë u shpalos me tiparet famëkeqe të atyre konferencave ndërkombëtare që ndanë territoret e Shqipërisë sipas orekseve të fqinjëve, ka shpallur kryeplanin e saj për një ndarje të re të territorit dhe pasurive kombëtare për të kënaqur orekset prej 20%-shi të pushtuesit Rama, ku qeverisja e re e territorit premton të jetë si ajo alla-geto e Tiranës
Përfundimet e konferencës së PS me urbanistë dhe arkitektë ishin disa dhe ndër to spikaste strategjia e Edi Ramës për inicimin e politikës së rrafshimit dhe ngritjes mbi të bizneseve të 20%-shit. Modeli i Tiranës 2000-2011, do transferohet dhe përcillet në modelin qeverisës 2013-2017. Pra një riciklim i përfitimit 20% të kreut të PS. Gjithçka shkon në sinkron me përfitimet e majme financiare dhe për këtë kreu i PS thërriti disa urbanistë dhe arkitektë të huaj vetëm për të fshehur planet e tij ogurzeza për grabitjen e pronës së shqiptarëve. Falë asistencës së arkitektëve dhe urbanistëve të paguar, Rama tenton të shfaqet para shqiptarëve si rregullator dhe reformator i madh. Kreu i PS foli dje tek konferenca “Shqipëria e Gjeneratës së Re”, për një emergjencë kombëtare dhe për një situatë jashtë kontrollit. Foli për perspektivën e një transformimi të madh social dhe zhvillimin urban në bazë të një plani, për të ndryshuar kështu modelin e qeverisjes së territorit. Deri këtu s’ka asgjë të keqe dhe e gjitha është në funksion të asaj që propagandohet, perspektivës së zhvillimit. Por, jo gjithçka është dritë jeshile. Në detaje dhe mirëfilltazi fshihen kurthe që në tërësi s’janë gjë tjetër veçse plane të Edi Ramës dhe Koço Kokëdhimës jo vetëm për betonizimin e bregdetit, duke ndërtuar atje fshatra turistikë dhe resorte luksoze, por do shkohet edhe më tej, drejt grabitjes së pronës së shqiptarëve. Nuk bëhet fjalë për zhvillim të qëndrueshëm urban, siç propagandohet nga kjo konferencë – pasi njeriu antizhvillim është vetë Rama ai që në 11 vite në Bashkinë e Tiranës i mbodhi pallatet si kërpudhat pas shiut, në këmbim të 20%-shit, apo e njohur ndryshe si taksa e pallatit që shkonte në xhepat e kreut të PS. Të njëjtin kurs do të ndjekë edhe në vijimësi, këtë herë me kostumin e kryeministrit të vendit. Nga ajo konferencë ndërkombëtare thjesht u përligj dhe u legalizua vjedhja e 20%-shit kombëtar, u përligj dhe u legalizua grabitja e pronës së shqiptarëve. Ajo që thotë Rama për “emergjencë kombëtare”, është në vetvete emergjenca e 20%-shit kombëtar, emergjenca e përfitimeve nga planet dhe projektet që do të dalin zyrtarisht nga kjo konferencë. Kreu i PS deklaroi në fjalën e tij se modeli i zhvillimit i ndjekur në këto vite ka shkaktuar ‘plagë’, në territorin e vendit, në jetën sociale dhe ekonomike të vendit. Arsyeja për këtë kaos sipas Ramës është hendeku mes ligjërimeve në letër dhe asaj që çdo shqiptar jeton në realitet. “Prej kohësh kemi konstatuar se modeli i zhvillimit i ndjekur gjithë këto vite ka shterruar, duke hapur plagë të mëdha në territorin e vendit, jetën sociale dhe ekonominë e vendit. Në fokus të debatit do jetë territori dhe ekonomia. Ne besojmë se një qasje e re ndaj territorit është e domosdoshme për të bërë një qasje të re ndaj problemeve ekonomike dhe sociale. Ne besojmë se sot vendi ka rënë pre e një zhvillimi kaotik. Jemi të vetëdijshme se pika më e dobët e konstatuar dhe nga KE dhe aleatët dhe partnerët tanë është hendeku ne rritje mes asaj që ligjërojmë në letër dhe asaj që jetojmë në realitet. Sfida nuk është të hartojmë plane të reja, por te vendosim piketat në drejtimin e vendit, ku vizioni, plani dhe jetësimi i planit të jenë bashkërisht te ndërthurur në çdo hap. Në rrugën e ndryshimit jo të kahut politik por të qeverisjes, na duhen që kapacitet t’i kthejmë në një instrument për të ndërtuar një partneritet dhe aleancë shumë të gjerë me çdo force dhe individ jashtë nesh që ka gatishmërinë për tu bashkuar në këtë përpjekje”, tha Rama. “Shqipëria sigurisht që në këto vite është zhvilluar, por pyetja është farë natyre ka pasur dhe sa i qëndrueshëm është ky zhvillim. Ky zhvillim a është në funksion të gjeneratës tjetër. Shqipëria ka ndërtuar, por ka shkatërruar shumë hapësirë në tokën e bukës, një zhvillim që ka sjellë transformim”, shtoi Rama duke theksuar se zhvillimi i territorit duhet të shkojë paralel me sektorin ekonomik. Përfundimet e kësaj konference do të bëhen gjatë ditës së sotme dhe ajo që praktikisht dihet është se do përligjë vjedhjen e 20%-shit kombëtarë. Përligje që merr edhe vulën e arkitektëve dhe urbanistëve ndërkombëtarë.
...