Konferencë për shtyp e Kryeministrit Berisha dhe Kryeministrit të Republikës së Kosovës, zotit Hashim Thaçi

Kryeministri Berisha priti sot Kryeministrin e Kosovës, zotin Hashim Thaçi, me të cilin pati një drekë pune në mjediset e një prej rezidencave qeveritare, në Tiranë. Pas përfundimit të saj, të dy kryeministrat informuan mbi tematikën e bisedimeve, përmes një konference të përbashkët për shtyp, gjatë së cilës u shprehën:
Kryeministri Berisha: Sapo përfunduam një takim dhe një drekë pune me kryeministrin e Kosovës, zotin Hashim Thaçi. Në bisedime dhe në drekën e punës diskutuam gjerësisht mbi disa zhvillime historike për Kosovën dhe natyrisht për mbarë shqiptarët.
Republika e Kosovës po përmbyll me sukses të plotë procesin e mbikëqyrjes së pavarësisë. Kryeministri i Republikës së Kosovës, zoti Hashim Thaçi më njohu mua me te gjithë procesin dhe etapat përmbyllëse të tij, përmbyllje që vjen si dëshmi e një suksesi të madh të zhvillimeve në Kosovën e pavarur dhe demokratike, funksionimit të shtetit ligjor dhe institucioneve demokratike, shndërrimit të Kosovës në një faktor të vërtetë paqeje, stabiliteti dhe bashkëpunimi rajonal. Në këtë takim u diskutua gjerësisht edhe për zhvillimet në Shqipëri.
Shqipëria kaloi një nga proceset më të rëndësishme në historinë politike te vendit, atë të zgjedhjes së presidentit të republikës, proces, i cili u konkludua në përputhje të plotë me germën dhe frymën e kushtetutës, me zgjedhjen në krye të shtetit shqiptar, në Shqipëri, të një personaliteti me integritet dhe me te gjitha dhuntitë dhe cilësitë për të përmbushur me dinjitet këtë mision.
U diskutua gjerësisht për etapat e bashkëpunimit të shkëlqyer të mëtejshëm, midis dy vendeve për angazhimin e përbashkët, në bashkëpunim të gjithanshëm në interesin më të mirë të qytetarëve të dy vendeve tona, por natyrisht edhe në kremtimet e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, 100 vjetor ky, që për shkak të Kosovës së pavarur, luftërave të qytetarëve të Kosovës për liri dhe dinjitet, festohet në Shqipëri, Kosovë, e kudo me flamurin kombëtar më lart se kurrë në historinë tij.
U diskutua gjerësisht perspektiva evropiane dhe euroatlantike e dy vendeve tona, vendosmëria për të bashkëpunuar intensivisht në këto dy projekte të mëdha për qytetarët e Shqipërisë dhe të Kosovës, për të ardhmen evropiane dhe euroatlantike të tyre të përbashkët.
Dua të shfrytëzoj rastin për të falënderuar me shumë mirënjohje dhe përzemërsi kryeministrin e Republikës së Kosovës, zotin Hashim Thaçi për këtë vizitë të shkurtër , por miqësore dhe vëllazërore që bëri këtë ditë në Shqipëri.
Faleminderit!
Kryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi: Ju falënderoj i nderuari Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, zoti Sali Berisha për mikpritjen tuaj vëllazërore dhe shumë miqësore.
Ne diskutuam sot për zhvillimet në Kosovë dhe në Shqipëri. E informova kryeministrin e Shqipërisë, zotin Sali Berisha për hapat e ndërmarra shteti i Kosovës për përmbylljen me sukses të mbikëqyrjes së pavarësisë, për implementimin e plotë të dokumentit të Ahtisarit që është baza e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, për ndërtimin e Kosovës demokratike dhe shumëetnike, si atdhe i të gjithë qytetarëve të saj që jetojnë në Kosovë, si dhe për vlerësimin ndërkombëtar që do ti bëhet Kosovës në 2 korrik në takimin e grupit drejtues ndërkombëtar në Vjenë, me rastin e prezantimit të arritjeve të Kosovës në komunitetin ndërkombëtar. Ndaj dhe unë e falenderoj kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, zotin Sali Berisha dhe të gjithë institucionet e Shqipërisë për mbështetjen e dhënë në të gjitha hapat për Kosovën , në procesin e konsolidimit dhe forcimit të shtetit të Kosovës. Ndaj dhe me besim të plotë mund të them se më 2 korrik do të kemi vlerësimin pozitiv nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar mbështetës i pavarësisë së Kosovës, për përmbylljen me sukses të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.
Për Kosovën nga ky moment, ne gjithashtu sapo pranuam udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, do të hapet një perspektivë e re, për integrimin në NATO dhe në BE. I gjithë ky proces do të përmbyllet në fillim të shtatorit. Parlamenti i Kosovës sapo aprovoi në leximin e parë legjislacionin e duhur dhe të nevojshëm të ndryshimeve që kërkoheshin për të përmbyllur mbikëqyrjen e pavarësisë, një legjislacion ky, komplet sipas standardeve evropiane. Pra, ne po ecim me hapa të sigurtë.
Gjithashtu diskutuam me kryeministrin Berisha edhe për manifestimet që kemi organizuar dhe do të organizohen me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Këtë 100 vjetor e madhështon më tepër pavarësia e Kosovës, konsolidimi dhe forcimi i shtetit të Kosovës. Kështu që vetëm dy muaj para ceremonisë së madhe më 28 nëntor, për Kosovën do të përmbyllet i tërë procesi i mbikëqyrjes ndërkombëtare, por natyrisht që do të vazhdojë mbështetja e fuqishme ndërkombëtare. Me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë festojnë sot dhe në të gjithë vitin, shqiptarët kudo që janë, edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë, edhe në Maqedoni, Preshevë, Medvegjë e Bujanovc, edhe në Mal të Zi, por edhe në diasporë.
Gjithashtu, ne diskutuam edhe për mundësi të tjera të bashkëpunimit tonë institucional, ndaj edhe njëherë i nderuari kryeministër Berisha ju falënderoj për pritjen tuaj vëllazërore e miqësore.
Pyetje: Endri Xhafo (Top Channel) Zoti Berisha, ju bëtë ndryshimet në qeveri për të plotësuar vendin vakant të ministrit të brendshëm. Mes analistëve ka shkaktuar pak habi emërimi i Zotit Noka në këtë post. A keni ndonjë koment lidhur me motivet që ju shtynë ju të emëroni zotin Flamur Noka si ministër i brendshëm dhe a keni ju ndonjë koment lidhur me propozimet që LSI ka bërë për ministritë që ajo mban?
Kryeministri Berisha: Zoti Noka është një nga bashkëpunëtorët e mi të ngushte me një integritet të lartë, i cili me përkushtim të madh ka punuar për suksesin e kësaj qeverisje. Në qoftë se mendohet se postet partiake janë një dënim për postet shtetërore,qeveritare, ky është një gabim. Zoti Noka nuk u kandidua për gjykatës apo funksione të tjera, por u kandidua për një nga postet e rëndësishme të maxhorancës dhe ai mbante një post shumë të rëndësishëm në hierarkinë e Partisë Demokratike.
Unë kam besim të madh se ju gazetarët, se qytetarët shqiptarë do të kenë tek zoti Noka, një ministër të përkushtuar, transparent, të vendosur për të bërë gjithçka në mbrojtje ligjore të interesave të tyre. Ndryshimet që ka bërë forca tjetër politike, forca e dytë, më e madhe e koalicionit, janë ndryshime që kjo forcë i ka gjykuar në interesin e saj më të mirë. Unë, në zbatim të marrëveshjes i kam propozuar Presidentit të Republikës emërimin në poste të personaliteteve të propozuara nga LSI, me besim të plotë se ata do të përmbushin me dinjitet të madh detyrat e besuara. Ata kanë kredencialet e tyre të plota për tu përballur me dinjitet me sfidat dhe detyrat e misionit të tyre të ri. Sikundër kam falënderuar zotërinjtë që largohen nga qeveria, kam falënderuar zotin Nasip Naço dhe zotin Petrit Vasili për bashkëpunimin e shkëlqyer që unë kam patur, luajal , të suksesshëm. Ky është qëndrimi dhe shpjegimi im për të gjitha ndryshimet.
Pyetje: Endri Xhafo (Top Channel) Ju keni pranuar dorëheqjen e Hajredin Kuçit. A keni ndërmend ta plotësoni vendin e tij vakant dhe ndoshta me ndonjë emër?
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi: Ju me siguri e keni përcjellë debatin për sa i përket Kodit Penal në Republikën e Kosovës dhe debatin mes politikës dhe mediave, që ka patur një qëllim të përbashkët. Ka qenë një debat që është përcjellë me zhvillime interesante, me opinione të ndryshme që ka qenë diçka e re në Kosovë, në këto momente të zhvillimit të demokracisë dhe të mediave të lira. Zoti Kuçi, tani e 13 vite është një prej bashkëpunëtorëve të mi më të ngushtë, gjithashtu një prej njerëzve më të suksesshëm në qeverinë e Republikës së Kosovës. Ai i ka dhënë opinionet e veta edhe për sa i përket neneve 37, 38 dhe 39. Ka ndodhur ajo që ka ndodhur në Parlamentin e Kosovës. Zëvendëskryeministri kishte bërë një deklaratë publike, një deklaratë e cila theksonte se në rast se këto tre nene kalojnë, në shenjë pakënaqësie do të jepte dorëheqjen. Unë kam kërkuar po atë ditë që nenet 37, 38 dhe 39 të riprocedohen në Kuvendin e Kosovës. Zoti Kuçi ka instaluar një standard të munguar në Kosovë, të përgjegjësisë morale dhe publike të fjalës së dhënë dhe të mbajtur. Zoti Kuçi do të vazhdojë të mbetet një prej bashkëpunëtorëve të mi më të ngushtë.
Pyetje: Kreshnik Kuçaj (SCAN), Zoti Berisha, ditët e fundit, në media ka patur një sërë debatesh lidhur me mënyrën se si po zhvillohet tenderi për llotarinë kombëtare. Ka patur akuza nga opozita, por edhe nga vetë kompanitë për mënyrën se si po zhvillohet ky proces. Në këndvështrimin tuaj si qëndrojnë akuzat, si po zhvillohet procesi dhe a është ai transparent?
Kryeministri Berisha: Ajo çka unë mund të them është se e kam ndjekur çështjen. Procesi ka qenë një proces publik, kryekëput, tërësisht transparent i botuar në të gjitha mediat ndërkombëtare me kritere të përcaktuara, jo të shpikura, asnjë, natyrisht kritere nga më rigorozet, të përcaktuara nga dy qendrat ndërkombëtare, Qendra Europiane e Llotarisë dhe Qendra Botërore e Llotarive. Kriteri i artë, i nderuar zotëri, i listës së kritereve të tyre eshtë një, licenca e transparencës, që përbën një dokument simbolik, që këto qendra ia u lëshojnë vetëm kompanive që plotësojnë disa kritere që ju ftoj ti lexoni vetë. Natyrisht, Shqipëria nuk mund të shmangte këtë kriter. Autoriteti i Ministrisë së Financave ka vendosur këtë kriter, por ky kriter përjashtonte një seri kompanish, natyrisht dhjetëra syresh e plotësonin kriterin. Për sa i përket reagimeve të bixhozxhinjve nuk kam asnjë impresion prej tyre. Unë këtë e konsideroj industri mëkati. E kam thënë dhe e them se po të ishte për mua do të ishte e ndaluar, por meqenëse nuk është, nuk mund ta bëj vullnetin tim dhe ti diktoj një rast të veçantë Shqipërisë. Kështu që ata le të bërtasin sa të duan. Zoti Rama bëri një gabim trashanik kur deklaroi se kompanisë ia janë lënë 90 % dhe shteti ka mbajtur 10 %. Pavarësisht të gjitha veseve, nuk e di që të jetë bixhozxhi. Bashkëpunëtorët i ka të tillë, por vetë mesa di, nuk e di që të jetë. Ai duhet të dijë që 10 % është fee koncesionare, duhet të dijë që në këtë vend janë firmosur nga partia e tij koncesione nga më të mëdhatë me zero fee; Duhet të dijë që në këtë biznes 50 %, ata të cilët kanë licencën e transparencës, janë të detyruar tja japin publikut, lojtarëve, mëkatarëve, atyre që fitojnë. 20 % është TVSH-ja dhe ligji nuk e ka përjashtuar. 10 % është tatim fitimi, 10 % është tatim mbi xhiron. Por unë do ta mbyll duke mirëpritur me kënaqësinë më të madhe komisionin hetimor të opozitës për këtë çështje. I ftoj që javën që që vjen dhe votojmë dhe ne me ta po të duan .Kjo është gjithçka që mund të them, mirëpres transparencën e opozitës. Natyrisht me bixhosxhinjtë nuk kam punë.
Pyetje: Kreshnik Kuçaj (SCAN): Ka patur debate lidhur me tarifën doganore për çimenton që po importohet. A pritet të ketë një rishikim të shpejtë të këtij vendimi apo do të mbetet në fuqi vendimi i marrë nga ministria e ekonomisë?
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi: Ditët e ardhshme do të takohen autoritetet shtetit të Kosovës dhe të Shqipërisë, dhomat ekonomike do të diskutojnë, në të njëjtën kohë, po ashtu dhe ministritë përkatëse. Ndërkohë flas me besim të plotë se do të jetë çështje e tejkaluar.
Pyetje e përbashkët për të dy kryeministrat: Asllan Bajrami(RTK): Në takimet tuaja të mëparshme gjithmonë prioritet i keni dhënë interkonjuksionit, Prishtinë- Tiranë. Ku qëndron ky projekt dhe kur pritet të përfundojë?
Kryeministri Berisha: Ky projekt do të zbatohet në kohën më të shkurtër dhe interesin më të mirë të qytetarëve të dy vendeve. Kjo është përgjigjja ime.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi: Ashtu siç tha edhe kryeministri, të dy qeveritë tona janë të vendosura ta zbatojnë këtë projekt në kohën më të shpejtë dhe më të përshtatshm , në interesin e dy shteteve dhe popullit tonë.
24/06/2012