E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferencë për shtyp e Kryeministrit Berisha dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, zotit Anders Fogh Rasmussen

- Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s: “Dëshiroj të uroj Shqipërinë për vitin e parë, shumë të suksesshëm si anëtare e NATO-s.”

- Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s: “Ne e çmojmë shumë angazhimin tuaj në NATO dhe kontributin tuaj në misionin në Afganistan.

- Kryeministri Berisha u shpreh se Shqipëria është e vendosur të bëjë çdo reformë, të marrë çdo vendim që të përmbushë me dinjitet detyrimet që rrjedhin nga anëtarësia e saj në Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Kryeministri Berisha mirëpriti sot në një takim, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, zotin Anders Fogh Rasmussen. Pas takimit kokë më kokë me Kryeministrin Berisha dhe bisedimeve mes dy delegacioneve, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, zoti Rassmusen dhe Kryeministri Berisha dhanë një konferencë për shtyp për mediat e pranishme.

Kryeministri Berisha: Sapo përfunduam takimin dhe diskutimet me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, zotin Anders Fogh Rasmussen. Por unë së pari dëshiroj para jush të përshëndes përzemërsisht edhe njëherë Sekretarin e Përgjithshëm në këtë vizitë historike të premtuar shumë vite me parë, në funksionin e kryeministrit të Danimarkës dhe të realizuar sot, në një moment historik, si vizita e parë e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s në Shqipëri, pas anëtarësimit të saj në këtë Aleancë.

Në këtë takim unë e njoha me të gjitha përpjekjet tona për të intensifikuar bashkëpunimin me Aleancën e Atlantikut të Veriut. E njoha me reformat që ka ndërmarrë dhe ndërmerr qeveria për të konsoliduar të gjitha institucionet, si dhe reformat e tjera që e bëjnë Shqipërinë një vend gjithnjë e më të mundshëm për të marrë rolin e saj modest, në Aleancën e Atlantikut të Veriut. E njoha Zotin Rassmusen me reformat në ushtri, të cilat zhvillohen sipas një programi të mirëpërcaktuar, me vullnetin tonë, për të rritur praninë në Afganistan, në njësitë, me oficerë policie për të trajnuar oficerët e policisë afgane. Gjithashtu e njoha me vendimin tonë për të zbatuar premtimin për të ndërtuar 8 shkolla të reja në këtë vend dhe ofruar bursa për 100 studentë.

Gjatë takimit diskutuam për zhvillimet në rajon. Përshëndeta vendimin e NATO-s për ti dhënë Bosnjës planin e veprimit për anëtarësim, rolin e shumë të rëndësishëm të KFOR në rajon dhe në Kosovë, kontributin e Kosovës në paqen dhe stabilitetin e rajonit. Diskutuam, ndër të tjera, për perspektivën e të gjitha vendeve të rajonit drejt integrimit në NATO, si interesi më i mirë I këtyre vendeve dhe i NATO-s.

Edhe ne njëherë unë dua të falënderoj shumë përzemërsisht Sekretarin e Përgjithshëm për këtë vizitë historike dhe ta siguroj se Shqipëria është e vendosur të bëjë çdo reformë, të marrë çdo vendim që të përmbushë me dinjitet detyrimet që rrjedhin nga anëtarësia e saj në Aleancën e Atlantikut të Veriut

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Rassmusen: Zoti kryeministër, ju falënderoj për fjalët ngrohta të mirëseardhjes. Ishte një kënaqësi e madhe për mua që të vizitoja Shqipërinë. është vizita ime e parë në Shqipëri, por unë dhe Kryeministri Berisha jemi takuar disa herë në Forume Ndërkombëtare. Kryeministri Berisha më ka ftuar shumë herë për të vizituar Shqipërinë. Fatkeqësisht unë nuk munda ta realizoj këtë vizitë, në funksionin tim të mëparshëm si kryeministër i Danimarkës, por jam shumë i lumtur që gjetëm kohën së bashku për të realizuar këtë vizitë në funksionin tim si Sekretar i përgjithshëm i NATO-s. Unë dëshiroj të uroj Shqipërinë për vitin e saj të parë dhe shumë të suksesshëm si anëtare e NATO-s. Ne e çmojmë shumë angazhimin tuaj ndaj aleancës sonë dhe kontributin tuaj domethënës ndaj misionit tonë në Afganistan. Dhe unë mirëpres ngrohtësisht përgjigjen tuaj pozitive ndaj kërkesës sonë për kontribute shtesë për operacionet në Afganistan.

Ne do të kemi një përparim të madh në 2010 në Afganistan dhe qëllimi ynë është që përgjegjësitë ti jepen vetë afganëve kur të krijohen kushtet. Prandaj është e rëndësishme që të trajnohen dhe të arsimohen ushtarët dhe forcat policore të Afganistanit. Unë i nxis të gjithë aletatët të japin kontributin e tyre dhe e çmoj shumë kontributin tuaj në këtë mision.

Gjatë takimit diskutuam gjithashtu mbi situatën në rajon. Unë e mirëpres vendimin që ne morëm në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s, në Talin javën e kaluar, për ti ofruar Bosnje-Hercegovinës një plan veprimi për anëtarësim. Ky hap është një hap tjetër i rëndësishëm drejt integrimit të vendeve të rajonit në strukturat euroatlantike të NATO-s.

Një vit më pare Shqipëria dhe Kroacia u bënë vende anëtare të NATO-s dhe unë shpresoj që të shikoj përparim në këtë drejtim, për të gjithë vendet e Ballkanit, në vitet që do të vijnë. Ne kemi vendosur që bisedimet për aderimin mund të fillojnë me Shkupin në momentin që do të zgjidhet çështja e emrit. Vitin e kaluar në i dhamë një plan veprimi për anëtarësim Malit të Zi dhe shpresojmë që të shohim përparime në të ardhmen, në marrëdhëniet midis Serbisë dhe NATO-s. Mendoj se integrimi i plotë i të gjithë vendeve te rajonit, në strukturat euroatlantike, në NATO dhe në BE do të jetë një kontribut shumë i fortë për garantimin e stabilitetit në këtë pjesë të Evropës. Jam i inkurajuar nga zhvillimet ne Kosovë. Gjendja e sigurisë, është përmirësuar. Por megjithatë situata mbetet e brishtë. Ne kemi të vendosur që gradualisht të reduktojmë trupat e KFOR në Kosovë, por mund t’ju siguroj se ky reduktim i trupave ndërkombëtare do të kryhet mbi bazën e një analize politike dhe ushtarake të situatës. Ne nuk do të ndërmarrim asnjë hap që mund të ketë ndonjë ndikim negativ në çështjen e sigurisë.

Zoti Kryeministër, së fundi më lejoni t’ju falënderoj për mbështetjen e fortë në reformimin dhe modernizimin e Aleancës Sonë. është ambicia ime të siguroj që NATO-ja t’i përshtatet sfidave të reja të sigurisë të shekulli të 21. NATO është aleanca më e suksesshme e ushtarake dhe e mbrojtjes që bota ka parë. Unë do të thoja që NATO është lëvizja paqësore më e fortë që bota ka parë dhe është ambicia ime që ta bëjë NATON më të suksesshme në shekullin e 21, ashtu siç ishte në shekullin e kaluar.

Pyetje: Dihet qe NATO nuk është vetëm një aleancë ushtarake, por edhe një aleancë politike. Nisur nga kjo e fundit, gjatë këtij viti, sa mendoni që Shqipëria është në lartësinë e një vendi anëtar të NATO-s, duke marrë në konsideratë që në harkun kohor të këtij viti, Shqipëria ka zhvilluar edhe zgjedhjet e përgjithshme si vend anëtar i NATO-s?

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Rasmussen: Unë besoj se Shqipëria dhe qeveria shqiptare bën gjithçka të mundur, për të përmbushur objektivat dhe detyrimet ndaj NATO-s. Unë nuk do të ndërhyj në çështjet e brendshme politike, por sot, kam shprehur shpresën për të parë, të gjitha partitë politike dhe grupet politike, të angazhuar pozitivisht në jetën politike në Shqipëri.

Pyetje: Kur thoni për grupe politike dhe parti politike që duhet të angazhohen pozitivisht nënkuptoni opozitën, e cila vijon të mos marrë pjesë normalisht në punimet e Kuvendit? A keni një vlerësim për zgjedhjet e përgjithshme, duke pasur parasysh se edhe një prej kritereve për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO ishin pikërisht zgjedhjet?

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Rasmussen: Së pari mendoj se komuniteti ndërkombëtar e ka njohur mënyrën se si u zhvilluan zgjedhjet. Ndërsa në lidhje me pjesën e parë të pyetjes suaj, nga përvoja ime e gjatë si anëtar i parlamentit në vendin tim, mendoj se mënyra më e mirë për të fituar influencën, gjithashtu edhe për opozitën, është që aktualisht të jetë e angazhuar pozitivisht në jetën politike, duke përfshirë edhe zënien e vendeve në parlament.

Pyetje: Ju thatë që nuk futeni në punët e brendshme të një vendi si Shqipëria, por para disa kohësh keni pasur një telefonatë me kryeministrin Berisha, siç kanë thënë mediat, për çështjen e ligjit të Shërbimit Informativ Shtetëror. çfarë kishte të gabuar ai ligj dhe ku po e jep ndihmën NATO për rishqyrtimin e ligjit.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Rasmussen: Së pari dua të konfirmoj që unë kam patur një telefonatë me kryeministrin Berisha dhe sot ne kemi diskutuar edhe atë çështje, si dhe çështje të tjera. E dyta, unë përfundimisht nuk kam ndër mend të komentoj për çështjen e shërbimit sekret ose të sigurisë. Së fundi, më lejoni të theksoj se kam besim se qeveria shqiptare do të sigurojë që i gjithë legjislacioni në Shqipëri do të të jetë në përputhje të plotë me rregullat e NATO-s.

Pyetje: Zoti Berisha, a ndjeheni komod kur miq të tillë të Shqipërisë, vijnë në Shqipëri dhe thonë që këtu nuk funksionon parlamenti siç duhet dhe maxhoranca dhe opozita duhet të gjejnë rrugë bashkëpunimi në parlament?

Kryeministri Berisha: Qëndrimi im është i prerë është se opozita është shumë e mirëpritur në parlament. Gjatë mandatit që kaloi, së bashku me opozitën kemi bërë reforma të jashtëzakonshme. Mbetem i hapur për një bashkëpunim të ngushtë dhe të gjithanshëm për të vazhduar së bashku me ta reformat në interesin më të mirë të vendit. Dua ta garantoj edhe një herë sekretarin e përgjithshëm të NATO-s se qeveria ka vlerësimin më të madh për opozitën dhe rolin e saj dhe se pavarësisht faktit se zgjedhjet e 28 qershorit janë vlerësuar nga të gjitha organizmat ndërkombëtare, si zgjedhjet më të mira në historinë e këtij vendi, si zgjedhje të cilat përmbushën standardet kryesore të OSBE-ODHIR dhe për të cilat nuk ka pasur asnjë provë për manipulim rezultatesh apo numërim të parregullt, mbetem disponibël dhe i vendosur të pranoj plotësisht çdo kërkesë për transparencë të opozitës, me kushtin e vetëm që të ndjekë rrjedhën e ligjve dhe kushtetutës s vendit. Por sërish më duhet të theksoj se në Shqipëri nuk ekziston qoftë edhe një dokument i vetëm, për të cilin nuk ekzistojnë procedura ligjore për deklasifikimin dhe transparencën e tij. Kjo është meritë e shtetit ligjor.

Pyetje: Zoti Berisha a është e gatshme Shqipëria të instalojë në territorin e saj mburojën anti-raketë?

Kryeministri Berisha: Shqipëria është e gatshme që t’i japë përgjigje pozitive çdo kërkesë të Aleancës së Atlantikut të Veriut, që ajo e gjykon të nevojshme apo të domosdoshme për paqen sigurinë dhe stabilitetin.


29/04/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›