Konferencë rajonale kushtuar trashëgimisë
Projekti i quajtur ‘Mbështetja e Promovimit të Shumëllojshmërisë Kulturore të Kosovës’, që financohet nga Bashkimi Evropian, këtë javë organizon një konferencë rajonale, në fokus të së cilës do të jetë “Trashëgimia e Paprekshme Kulturore.
Konferenca do të hapet nga Christof Stock, udhëheqës i operacioneve në Zyrën e BE’së në Prishtinë, dhe nga Robert Palmer, drejtor i kulturës në Zyrën për Kulturë dhe Trashëgimi Natyrore të Komisionit Evropian. Në konferencë do të marrin pjesë edhe përfaqësues nga MCYS dhe nga UNESCO.
Me qëllim të promovimit të dialogut ndërkulturor, në konferencë janë ftuar mbi 100 pjesëmarrës, të cilët do të shqyrtojnë mënyrat më të mira për ruajtjen e trashëgimisë së paprekshme kulturore, por edhe do të japin rekomandime mbi rrugët më të efektshme të transmetimit të kësaj trashëgimie tek gjeneratat e ardhshme.
Konferenca mbahet të mërkurën, më 8 shkurt, me fillim nga ora 18, në Swiss Diamond Hotel, në Prishtinë.