E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konfindustria: Përpjekjet e Greqisë bien ndesh me normat

“Përpjekjet e mësipërme janë në kundërshtim të plotë me parimet kryesore të demokracisë, globalizimit të tregjeve dhe gjithë marrëveshjeve ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë e vërteta e plotë e shkëmbimeve të kapitaleve financiare dhe të ardhurave personale ndërmjet të 2 vendeve flasin në humbje të qartë të Shqipërisë në favor të Greqisë”, thuhet në një deklaratë të Alb-Konfindustrisë.

Alb-Konfindustria vlerëson, se nëse masa kryesore e të hyrave financiare nga Greqia në drejtim të Shqipërisë përfaqësohen  nga remitancat e të punësuarve shqiptare, në drejtim të shtetit fqinj shkojnë shuma të mëdha në formën e dividentit të bizneseve greke në vendin tonë si dhe kapitale financiare me vlerë prej qindra milion euro të përvitshme, që shkojnë në mbulimin e importeve të larta të Shqipërisë.

Sipas vlerësimeve të përafërta, del që vetëm fitimet e siguruara në Shqipëri dhe të transferuara në drejtim të Greqisë e tejkalojnë ndjeshëm masën e përgjithshme të remitancave të emigrantëve shqiptare që hyjnë në Shqipëri. Janë norma fitimi të siguruara në tregje strategjike si:  telekomunikacionet, sistemi bankar, nafta dhe nënprodhimet e saj, çimento, si dhe prodhime të industrisë agro-ushqimore.  Vlerësohet, se vetëm në tregun e telekomunikacionit shuma e përgjithshme e fitimeve të kompanive me kapital grek, një pjesë e rëndësishme e të cilave janë të transferuara drejt Greqisë, kapin shifrat e 2 miliardë eurove.
 
Alb-Konfindustria vlerëson, se nëse do të shtojmë edhe sektorët e tjerë të lartpërmendur  të ekonomisë është qartësisht e kuptueshme, se bilanci i përgjithshëm i shkëmbimeve financiare ndërmjet dy vendeve është qartësisht në favor të Greqisë dhe në dëm të Shqipërisë. Këtu nuk po vlerësojmë përfitimet e jashtëzakonshme të ekonomisë greke nga importet shumë të larta të Shqipërisë prej dhjetëra miliarda eurosh në të gjithë kohën prej 20 vitesh.

“Gjithashtu, duhet vlerësuar edhe fakti, se në shumë raste kemi të bëjmë edhe me dalje në shuma të mëdha dhe në mënyrë të paligjshme të parave shqiptare jashtë vendit të siguruara nga evazioni fiskal i kompanive me kapital të huaj, përfshi edhe kompani greke që nuk i janë nënshtruar taksimit, duke goditur ashpër qëndrueshmërinë afatgjatë të financave publike dhe ekonominë e Shqipërisë”, thuhet më tej në deklaratë.

Alb-Konfindustria i kërkon  institucioneve shtetërore që të marrin të gjitha masat e duhura te marketingut për të bërë të mundur përfshirjen në amnistinë fiskale të të gjithë emigrantëve shqiptare, që vijnë në atdhe për pushimet e verës.

“Deri më sot, puna e institucioneve përgjegjëse është krejtësisht e pamjaftueshme për sa më sipër. Duhet të jetë e qartë, se lufta ndërmjet vendeve të rajonit përfshi Greqinë, që në mënyrë të përsëritur ka kryer amnisti fiskale në vitet e fundit do të jetë shumë e ashpër për zotërimin e kapitaleve financiare të emigrantëve shqiptarë” thuhet në fund të komunikatës së Alb-Konfindustrisë. /Start/

                                                                                             2011-08-07 15:41
   

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›