E Diel, 1 Nëntor 2026

Konfindustria: Pretendimet etnike mund të rrënojnë turizmin në jug

23/08/2010 Biznesi shprehet i shqetësuar nga instrumentalizimi i ngjarjes

Konfindustria shpreh shqetësimin dhe keqardhjen e saj për mundësinë e prekshme të rrënimit ekonomik të banorëve të qytetit të Himarës dhe rrezikimin e investimeve të kryera në industrinë turistike nga veprimet e papërgjegjshme të përfaqësuesve të qeverisjes vendore të saj. Pasojat e drejtpërdrejta të qëndrimeve të disa ditëve më parë dhe të përsëritura në kohë të mbajtura nga përfaqësues të pushtetit vendor të Himarës mund të jenë largimi i masiv i pushuesve në vitet në vazhdim drejt qendrave të tjera të shumta të bregdetit jugor shqiptar duke filluar nga Dhërmi, Palasa, Vunoi, Lukova, Qeparo, Borshi etj., duke lënë si ishull të vetmuar qytetin e Himarës dhe duke rrënuar kështu ekonomikisht investimet e kryera nga qytetarët himarjot. “Qytetarët e Himarës kanë si burim kryesor jetese pikërisht të ardhurat nga turizmi i pushuesve të ardhur nga të gjitha hapësirat shqiptare”, tha Gjergj Buxhuku. Konfindustria vlerëson, se përdorimi politik nga qarqe të caktuara brenda dhe jashtë vendit i ngjarjeve të rastësishme njerëzore, që mund të ndodhin në çdo kohë dhe në çdo vend, sikurse ishte aksidenti tragjik që ndodhi para disa ditëve në qytetin e Himarës, në mënyrë të drejtpërdrejtë përveç qëllimeve të pastra antishqiptare, drejtohet ndaj zhvillimit të ndjeshëm të industrisë së turizmit në Shqipëri. “Me kahjen e deritashme të zhvillimit të industrisë së turizmit, Shqipëria bëhet një konkurrent i rëndësishëm i vendeve të rajonit. Industria turistike ka një ndikim të drejtpërdrejtë në të ardhurat për ekonominë kombëtare duke dhënë mbi 10% të PBB dhe duke mbështetur industritë prodhuese dhe të shërbimeve në vend”, vijon deklarata. Konfindustria nga ana e saj i kërkon qeverisë shqiptare, që të zbatoj masat më të ashpra ligjore për të mos lejuar në asnjë mënyrë përsëritjen e mbylljes së rrugëve kombëtare në asnjë rast dhe sidomos në kulmin kohor të zhvillimit të turizmit. Gjithashtu, duhen gjetur mënyrat e duhura për mbrojtjen e dinjitetit kombëtar dhe për të mos lejuar shkatërrimin ekonomik të investimeve turistike të qytetarëve të Himarës nga veprimet e përsëritura të qarqeve antishqiptare brenda dhe jashtë vendit. Një aksident, ku gjeti vdekjen një 35-vjeçar nga Himara disa ditë më parë u tentua të interpretohej si një vrasje etnike, nga banorët e këtij qyteti. Kësaj kakofonie iu bashkua dhe kreu i Bashkisë Himarë, Vasil Bollano, por edhe kreu I PBDNJ-së Vangjel Dule. Policia arrestoi të riun shkaktar të aksidentit, i cili në sallën e gjyqit pohoi se nuk ishte vrasje e qëllimtë, por makina i kishte dalë nga kontrolli. Për këtë aksident, për më shumë se 14 orë banorët e Himarës bllokuan rrugën duke lënë tërë natën jashtë me mijëra turistë vendas dhe të huaj që udhëtonin në këtë aks rrugor.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›