E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katër pyetjet e Boçit për kryebashkiakun

23/08/2010 Reagimi kundër Ramës

Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, i organizoi të gjitha akuzat dhe dyshimet e tij për veprimtarinë politike dhe personale të kryetarit të Bashkisë Edi Rama në formën e pyetjeve. Gjatë një konference për mediat mesditën e djeshme ai tha se risia e vetme politike që kryebashkiaku solli këtë muaj ishte, goditja e partnerëve dhe të deputetëve të mazhorancës, me idenë dhe dëshirën qorre për të çorientuar opinionin publik, nëpërmjet një rituali të vjetër. Ndër to, Boçi sugjeroi edhe ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të hetuar pasuritë e partnerëve të Ramës dhe deputetëve të majtë e të djathtë, si dhe ngriti pikëpyetje mbi gatishmërinë e tij. “Zoti Rama ju vetë, jeni tallur me shqiptarët, kur deklaroni se keni vetëm 3 mijë dollarë të kursyera dhe se jeni i pastrehë, ndërkohë që keni 12 vite si kryetar bashkie. Pse ju keni kaq frikë të deklaroni pasurinë tuaj, e cila thuhet se i kalon miliardat, apo nuk mbani mend burimin? Zoti Edvin Rama, cila është vlera e pasurisë suaj që ju e keni transferuar në emër të partnerëve tuaj, siç dhe e vërteton dokumenti që paraqiti zonja Vokshi, ku me një urdhëresë tuajën, përfitoheshin pa pikën e mundit e të djersës dhe pa ligj, jo pak, por 100 milionë euro. Sa të tilla keni ekzekutuar me dhe pa letër zoti kryetar i Bashkisë?”, - pyeti deputeti Boçi. Ai e akuzoi kreun e opozitës edhe për afera korruptive të bashkëpunëtorëve dhe deputetëve të tij. Përgjigjet për të gjitha këto pyetje deputeti demokrat në rastin më të mirë mund t’i marrë përmes ndonjë shakaje të hidhur të kryesocialistit në konferencat e tij javore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›