Konflikt me pasojë plagosje në Sarandë, dyshohet se u shkrep aksidentalisht një armë zjarri

Një 56-vjeçar është plagosur pasditen e sotme në Sarandë, gjatë një konflikti në lagjen nr. 4 të qytetit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:10, ndërsa policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Sipas informacioneve paraprake nga policia e Sarandës, shtetasi me iniciale A. V., 56 vjeç, dyshohet se është dëmtuar me një send të fortë, mendohet të jetë tyta e një pistolete. Gjatë momentit të goditjes, nga arma dyshohet se është shkrepur një fishek në mënyrë të pavullnetshme në ajër, pa shkaktuar pasoja të tjera. Në vendngjarje, policia gjeti dhe sekuestroi një gëzhojë arme zjarri si provë materiale.
I plagosuri është dërguar menjëherë në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për dokumentimin e saj ligjor.
/rtsh.al/