E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konflikti i Sirisë sjell rrezikun e kërcënimit të ekstremizmit

Grupe e individët me pikëpamje ekstremiste ka të ngjarë të shfrytëzojnë në avantazhin e tyre kaosin e lindur nga trazirat në Siri, thanë ekspertët.
Dr. Nihat Ali Ozçan, një ekspert për kryengritjet, terrorizmin e Lindjen e Mesme në institutin kërkimor me qendër në Ankara TEPAV, tha për SETimes se një karakteristikë e luftërave civile është se inkurajojnë fraksionet radikale e krijojnë një mjedis tërheqës për ta.

"Në fund, faktori përcaktues do të jenë ata që përdorin forcën në ekstrem," tha Ozçan. "Dhe sulmi i pretenduar me gaz në Siri, ka forcuar disa fraksione radikale për të çuar më tej orientimin e tyre ekstremist."

Elementë ekstremistë brenda luftës civile në Siri kanë një rrjet të gjerë që shkon përtej kufijve kombëtarë e marrin mbështetje të fuqishme nga disa vende të huaja, tha gjithashtu Ozçan.

Kaosi i krijuar nga lufta civile shfrytëzohet nga këta elementë, shtoi Ozçan.

"Në planin afatshkurtër, zgjidhja mund të pranohet me anë të një takimi rreth një tavoline mes [Presidentit të Sirisë Bashar al-Assad] e udhëheqësve të fraksioneve të opozitës," tha Ozçan.

Sadık Jalçin, një student në universitet, tha se elementët ekstremistë në Siri prisnin një mundësi të tillë, si kjo e sulmit kimik, për të shtuar bazat e tyre e për të rritur dhunën në një mjedis kaotik.

"Kemi një shprehje në turqisht që thotë se ujku nuk ka nevojë për justifikime për të ngrënë qengjat. Prandaj, elementët ekstremistë të cilët i kanë forcuar sulmet e tyre e kanë rritur polarizimin prej dy vjetësh nën këtë kaos, do të vazhdonin të krijonin një rrjet ekstremist duke përdorur kontaktet e tyre jashtë vendit," tha Jalçin për SETimes. "Dhe kjo sërish do t'a bënte të pamundur paqen në planin afatshkurtër."

Ka gjithashtu të ngjarë që grupe me pikëpamje ekstremiste mund të shfrytëzojnë çështjen e Sirisë në vende të tjera, tha për SETimes Sllobodan Jankoviç, studiues i lartë pranë Institutit të Beogradit për Politikat Ndërkombëtare e Ekonominë që specializohet në çështjet e Lindjes së Afërt.

"Gjendja në Siri … mund të ketë ndikime në sigurinë e vendeve në rajon ku vazhdojnë të ekzistojnë baza të huaja ushtarake, si në Kosovë e Bosnjë, duke qenë se ka ende trupa amerikane, franceze e turke," tha ai. "Paqja në Siri mund të arrihet përmes ndërhyrjes së dobishme të vendeve të huaja, për shembull duke hapur bisedimet për heqjen e sanksioneve ndaj qeverisë së Damaskut ose duke krijuar kushte për amnisti…"

Saeditin Mujezinoviç, një këshilltar bashkiak në Novi Pazar, qyteti më i madh në Sanxhak, një rajon me shumicë muslimane në Serbi, tha për SETimes se imazhet nga Siria ishin të trishtueshme.

"Shpresojmë se komuniteti ndërkombëtar do të reagojë më në fund e do të gjejë një zgjidhje për të ndaluar Asadin që të vrasë njerëzit e tij e më pas të ndihmojë popullin sirian në ndërtimin e institucioneve e sistemit demokratik, i cili do t'i lejojë të zgjedhin udhëheqësit e tyre në përputhje me parimet demokratike si dhe të gëzojnë të drejtat e tyre themelore të njeriut," tha Mujezinoviç për SETimes.

Ish-ministri i Jashtëm i Bullgarisë Solomon Pasi, i cili është edhe themelues e president i Klubit të Atlantikut të Bullgarisë, tha se "dekadat e terrorit të klanit të Asadit mbi popullin e tij," kanë ndikuar në opinionin botëror.

"Asadit i janë dhënë mundësi të shumta, përfshirë edhe përkrahjen e fortë nga Rusia e Kina në Këshillin e Sigurimit, por nuk ka arritur t'i transformojë të gjitha këto mundësi e mbështetje në një ndryshim të sjelljes e regjimit të tij," tha ai për SETimes.

"Numri i diktatorëve e diktaturave në mbarë botën ka rënë, por kjo nuk do të thotë se toleranca jonë për ta duhet të rritet. Përkundrazi, bota duhet të bëhet gjithnjë e më pak tolerante ndaj terroristëve e rregjimeve diktatoriale me kalimin e kohës," tha Pasi.

Asadi duhet të përballet me akuzat si kriminel lufte në lidhje me sulmin e qartë me armë kimike, tha zëdhënësi i Koalicionit Kombëtar Sirian, Kahlid Saleh. Rregjimi i Asadit ka mohuar përgjegjësinë për sulmin.

"Shqetësimi ynë kryesor është të ndalohet gjakderdhja në vend," tha Saleh për gazetarët gjatë një konference për shtyp në Stamboll.

Korrespondentët Zejnep Çerman në Stamboll, Ivana Jovanoviç në Beograd dhe Svetlla Dimitrova në Sofje kontribuan për këtë raport.

Cila është mënyra më e mirë për të pakësuar ndikimin e elementëve ekstremistë? Jepni mendimet tuaja në pjesën e komenteve më poshtë. /Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›