E Diel, 1 Nëntor 2026

Konflikti me ish-studenten dhe Stresin, Bombaj 1 orë e gjysmë në Prokurori

SHKRUAN: Leonard Bakillari 31-05-2011 10:52

Tiranë- Konflikti me ish-studenten dhe miqtë e saj e ka çuar sërish regjisorin Leonard Bombaj në dyert e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ku ka sqaruar disa detaje që, sipas akuzës, mbeten disi të paqarta. Qëndrimi i regjisorit në ambientet e prokurorisë ka zgjatur përreth një orë e gjysmë, kohë gjatë së cilës Bombaj ka qartësuar para prokurorit dhe oficerit të policisë gjyqësore disa detaje që kanë të bëjnë me “marrëdhëniet” e tij me miqtë e 15-vjeçares, që e akuzoi për përdhunim. Sipas prokurorisë, janë të paktën tre eposode që tregojnë se katër të akuzuarit, tashmë persona në kërkim, kanë kërcënuar, madje i kanë marrë para dhe makinën regjisorit Bombaj. Ende nuk dihen detajet që ka saktësuar paraditen e djeshme Leonard Bombaj para prokurorëve të çështjes, por konfirmohet se ai ka treguar versionin e tij për gjithë historinë qe e ka mbajtur nën presion përreth një vit. Një prej episodeve, që sipas prokurorisë është i mjaftueshëm për të ngritur akuzën e gjobëvënies ndaj katër të dyshuarve, është ai i datës 22 korrik të vitit të shkuar, kur të paktën katër të rinj, të shoqëruar nga vajza që e akuzonte për përdhunim, kanë shkuar në banesën e regjisorit. Po këtë ditë, tre prej të dyshuarve së bashku me vajzën kanë shoqëruar regjisorin drejt një banke në Rrugën e Elbasanit, ku ka tërhequr shumën prej 500 mijë lekësh nën presionin e të rinjve. Ky fakt denoncohet në deklarimet e Bombajt, i cili thotë se në bankë ata kanë shkuar me automjetin e tij, të cilin të dyshuarit e mbajtën peng për dy ditë me radhë, deri në ndërhyrjen e babait të Arkimed Lushajt. Edhe pse ky është pretendimi i Bombajt, hetimet kanë mundur të tregojnë se ky episod ka qenë real, dhe përveç bankës që konfirmon transaksionin prej 500 mijë lekësh, ka edhe elemente të tjera që përputhen me dëshminë e regjisorit. Gjatë hetimit të çështjes, prokuroria ka sekuestruar filmimet e kryera nga kamerat e bankës ku janë tërhequr paratë, ku duket fare qartë automjeti tip “Benz” në pronësi të Bombajt me targë TR 9485 L dhe të rinjtë që e shoqëronin atë. Makina ka ndaluar në krah të bankës dhe prej andej ka dalë regjisori Bombaj, i cili pasi ka tërhequr në bankomat shumën prej 500 mijë lekësh ka hipur sërish në makinën që nuk drejtohej prej tij. Fotografitë e nxjerra nga pamjet filmike të kamerave të sigurisë që disponon banka tashmë janë bërë pjesë e dosjes hetimore, duke konfirmuar kështu, sipas prokurorisë, se regjisori është kanosur me qëllim dhënien e pasurisë. Gjithashtu, një tjetër provë, që sipas akuzës tregon se katër të rinjtë, Arkimed Lusha, Rolado Kurti, Elis Basha dhe Sebastjan Ukcamaj dhe një person i paidentifikuar, kanë kanosur regjisorin është edhe kontrata e bërë para noterit për ndryshimin e pronësisë së automjetit të tij tip “Benz”, i cili i është kthyer pronarit vetëm pas ndërhyrjes së babait të njërit nga të akuzuarit. Prokuroria thotë se hetimet për këtë çështje tashmë janë drejt fundit, por pritet ekzekutimi i vendimeve të gjykatës për katër nga të dyshuarit për “shtrëngim me anë të kanosjes ose kërcënimeve për dhënie pasurie”. Apeli për Krime të Rënda ka vendosur masën e sigurimit “arrest me burg” për katër të rinjtë, vendime këto që i janë përcjellë për ekzekutim policisë pasditen e 27 majit. Kur kanë kaluar më shumë se katër ditë nga dhënia e vendimit të gjykatës, policia ende nuk ka kryer ekzekutimin e tyre, madje pa dhënë asnjë informacion për prokurorinë mbi arsyet e moszbatimit të vendimit të gjykatës. Burimet thanë se deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, policia nuk ka ekzekutuar asnjë prej katër vendimeve të gjykatës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›