E Enjte, 5 Nëntor 2026

Konflikti në parti, PD nuk voton për kreun e ri të PPE! Asnjë ftesë nga Partitë Popullore Europiane për delegatë

Konflikti i brendshëm i heq Partisë Demokratike të drejtën për të votuar në kongresin e Partisë Popullore Europiane në Roterdam. Për herë të parë që kur është anëtarësuar në këtë organizatë politike europiane, PD nuk do të votojë dot nesër për të zgjedhur drejtuesit e PPE-së, përfshirë kryetarin e saj të ri. Siç tregojnë dokumentet zyrtare të kongresit, nga të gjithë delegacionet me të drejtë vote, vetëm PD nuk ka asnjë delegat atje.

Numri i tyre është zero, kur partitë e tjera kanë disa delegatë.  Burime zyrtare bëjnë të ditur se, duke dashur që PPE të mos mbajë anë dhe të mos përfshihet në konfliktin e brendshëm në parti,   nuk ka dërguar asnjë ftesë për asnjërën palë.

Tre demokratët që gjenden në Roterdam, Jorida Tabaku, Albana Vokshi dhe Belind Këlliçi nuk do të mundet asnjëri të votojë në emër të PD. Ata marrin pjesë në kongres si të ftuar të organizatave partnere të PPE-së, Tabaku nga Asambleja e Këshillit të Europës, Vokshi nga Forumi i Grave të PPE-së dhe Këlliçi nga Forumi Rinor i PPE-së.

Gjatë kongresit të Roterdamit të dy palët do të kenë takime me drejtuesit e Partisë Popullore Europiane për të diskutuar gjendjen në Partinë Demokratike, por fakt është se konflikti ka dhënë efektet e tij edhe në marrëdhëniet me jashtë- pesha politike e Partisë Demokratike ka rënë dhe pozitat e saj janë dobësuar në organizatën më të madhe politike europiane të partive të qendrës dhe qendrës së djathtë. Kongresin e fundit të PPE disa vite më parë, PD mori pjesë me një delegacion me të drejtë vote për të zgjedhur kryetarin e të djathtës europiane.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›