Konflikti për pronën, gratë: Nuk zbresim, duam shtëpitë tona
Për më shumë se dy orë e gjysëm, rreth 10 gra qëndrojnë në taracën e një pallati në ndërtim duke kërcënuar se do të hidhen prej andej.
Në një linjë telefonike për RTV “Ora News”, njëra prej grave ka deklaruar se janë të vendosur që qëndrojnë aty se kur të vijë pronari i pallatit dhe t`i ndajë apartamentet që u takojnë.
“Kur nënshkruam kontratën pronari tha se brenda 20 muajsh pallati do të ishte gati. Kjo kohë ka kaluar dhe pallati ende nuk ka përfunduar, nuk janë bërë as ndarjet brenda dhe nuk dimë se ku janë hyrjet tona. Pronari është zhdukur dhe nuk na kontakton, as nuk vjen të na tregojë se ku i kemi hyrjet. Ne jemi përpjekur të kontaktojmë me të me telefon, por është e pamundur. I lutemi deputetit të zonës Bujar Nishani të na përgjigjet dhe të na japë ndihmë për të zgjidhur problemin. Të ndërhyjë Bujar Nishani,.. prej 3 vitesh pallati nuk ka mbaruar dhe nuk është bërë ndarja. Ku janë hyrjet tona? Ne këtu në tarracë jemi 10 gra dhe dhe jemi të vendosura të flijohemi se këto po na marrin djersën e ballit. Madje do të marrim dhe fëmijët." tregon njëra nga gratë në tarracë
Gratë të cilat qëndrojnë të hipura në tarracën e pallatit në ndërtim deklarojnë se pronari i pallatit nuk u njeh kontratat e nënshkruara disa vite më parë. Sipas këtyre kontratave ndërtuesi do të kompensonte shtëpitë e prishura me hyrje apartamenti apo dyqane, në pallatin që do të ndërtohej.
Ndërkohë mësohet se pronari i pallatit ka kërkuar takim me banorët protestues në komisariatin e policisë për të diskutuar për gjetjen e një zgjidhjeje.