Konflikti për pronën sjell një tjetër viktimë
Konflikti për pronën regjistron viktimën e radhës në qytetin e Vlorës. Si pasojë ka mbetur i vdekur 27- vjeçari Amarildo Delaj, pronar i një lokali në qytetin bregdetar, ndërsa nga breshëria e plumbave kanë mbetur të plagosur rëndë edhe sy persona të tjerë të cilët frekuentonin barin, raporton Ora News.
Sipas të dhënave nga policia, ngjarja është shënuar mesnatën e mbrëmshme në vendin e quajtur Rruga e re në lagjen 28 Nëntori ku një person i armatosur ka hyrë në ambientet e brendshme të lokalit të Amarildo Delajt dhe ka qëlluar me kallashnikov në drejtim të 27-vjeçarit. I riu ka marrë plagë të rënda në trup dhe për pasojë ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Ndërkohë që dy të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën, ku po marrin mjekimin e nevojshme në spitalin rajonal të Vlorës. Nuk dihen ende shkaqet e vërteta të vrasjes së 27-vjeçarit, por dyshohet se një konflikt për motive pronësie kanë çuar autorin të ekzekutojë të riun. Ndërkohë që policia po vijon hetimet për identifikimin e autorit dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.