E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konfuzion për kandidatura në LDK

Gjithashtu ka zëra të ndryshëm se a duhet të ketë më shumë se një kandidat për numrin një të LDK’së, në kuvendin që pritet të mbahet kah fundi i këtij viti.

Në partinë që është forca e dytë në koalicion qeveritar nuk ka përgjigje të qartë se a ka ndonjë pengesë ligjore që Sejdiu të shpallë zyrtarisht kandidaturën për kryetar të LDK’së dhe që të jetë fizikisht i pranishëm në punimet e kuvendit zgjedhor. Situata mund të komplikohet edhe më shumë nëse Gjykata Kushtetuese e Kosovës sjell vendim që nuk do të ishte në favor të Sejdiut.

Kjo gjykatë ka filluar tashmë procesin për të vërtetuar se a ka shkelje kushtetuese nga Presidenti i Kosovës, i cili mban njëkohësisht edhe postin e kryetarit të LDK’së. Ka zyrtarë të LDK’së që për kryetar të partisë nuk shohin alternativë tjetër përveç Sejdiut. Por, disa të tjerë insistojnë se duhet të ketë më shumë kandidatura dhe shprehin haptazi preferencën e tyre.

Anëtari i Kryesisë së LDK’së, Ismet Beqiri, qysh tash e sheh Fatmir Sejdiun si kandidat zyrtar, por edhe fitues të sigurt. Ai thotë se deri tani kandidat i vetëm është Presidenti Fatmir Sejdiu, dhe shton se e mbështet fuqishëm këtë kandidaturë. “Për të tjerë nuk di, por është e drejtë e secilit që nëse ka ambicie, të kandidojë. Megjithatë, më vonë do të shohim sepse ka ende kohë. Por, tash për tash me sa di unë është vetëm një – kryetari aktual Fatmir Sejdiu”, ka thënë ai të shtunën për Express.

Beqiri vlerëson se Sejdiu nuk ka nevojë të marrë pjesë në procesin zgjedhor dhe po ashtu ta publikojë kandidaturën. Ai po ashtu ka thënë LDK e ka liderin e saj dhe atë të pakontestueshëm. Sipas Beqirit, Presidenti Sejdiu as nuk do të ketë nevojë të jetë pjesëmarrës aktiv deri në fund të procesit zgjedhor në LDK.
Edhe zyrtari tjetër i LDK’së, Fatmir Rexhepi, thotë se nuk pritet të ketë kandidat tjetër për kryetar të LDK’së, përveç presidentit Sejdiu.

Ai madje qesh kur pyetet nëse dikush në LDK mund ta mposhtë Sejdiun për kryetar të LDK’së në garën zgjedhore. Ai mendon se LDK ka nevojë për ndryshime në lidershipin e partisë, por jo të gjejë një kryetar tjetër. Për dallim nga këta dy zyrtarë, nënkryetari i parë i LDK’së Eqrem Kryeziu thotë se “deri më tash nuk ka kandidat zyrtar për kryetar të partisë”. Në anën tjetër, zyrtari i lartë i LDK’së, Bujar Bukoshi mendon se një parti që e quan vetën demokratike nuk do të ishte mirë të hynte në garë zgjedhore me vetëm një kandidat për kryetar.

Në një prononcim për Express, të shtunën, Bukoshi ka konfirmuar se mbetet prapa qëndrimit se nëse Isa Mustafa kandidohet për kryetar të LDK’së, do ta përkrahte fuqimisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›