Kongresi akuzon BP-në: Injoruat rrezikun
Shefi ekzekutiv i “British Petroleum”, Tony Hayward, ka marrë mesazhin nga paneli i Kongresit Amerikan që po heton në lidhje me çështjen e rrjedhjes së naftës në Gjirin e Meksikës, se kompania që ai drejton i ka injoruar rreziqet e shpimit në nëndetin e Meksikës. Komiteti i Kongresit për Energjinë dhe kryetari i tij, Henry Waxman, tha se vetëkënaqësia e kompanisë para 20 prillit, ditës që nisi edhe shpërthimi i dy burimeve të naftës, ishte “e tmerrshme”. Ndërkaq, i pyetur në lidhje me gabimet e mundshme që mund të ishin bërë para tragjedisë, shefi i BP-së tha se ishte ende shumë herët për të nxjerrë konkluzione. Waxman e akuzoi shefin për “mungesë të të qenit i drejtpërdrejtë”. “Ju nuk po merrni mbi vete asnjë përgjegjësi, sikur të mos kishit fare të bënit me situatën aktuale”, ka thënë shefi i panelit. Ndërkaq, kompania ka bërë të ditur se nuk do t’u ndajë dividendë aksionerëve të tij deri në fund të vitit, si pjesë e masave që po ndërmerr për t’iu kundërpërgjigjur situatës në gji. Aksionet e kompanisë u rritën dje me 6%, pasi ajo ra dakord për një paketë 20 miliardë dollarëshe si fond për kompensimin e viktimave të shkaktuara nga tragjedia e Gjirit të Meksikës.
Për sa i përket kongresmenit Waxman, ai tha në fjalën e tij të hapjes se BP kishte vepruar gjatë gjithë kohës vetëm në interes të fitimeve të saj dhe gjithë sa i interesonte kompanisë ishin fitimet. Kjo, sipas tij, çoi edhe në shpërthimin e fuqishëm të platformës së naftës në Gjirin e Meksikës, në të cilën humbën jetën 11 persona. Sipas Waxman, Kongresi nuk ka asnjë lloj prove se BP ka qenë gjatë gjithë kohës në monitorim të situatës. “Platforma që shpërtheu dihej se ishte shumë e rrezikshme dhe duhej pasur gjatë gjithë kohës në vëmendje. Nëse kjo do të kishte ndodhur, atëherë situata nuk do të kishte shkuar në këtë prag katastrofe. “Ne nuk kemi gjetur asnjë provë që të vërtetojë se ju keni qenë të shqetësuar, apo në monitorim të situatës dhe mbi të gjitha të rrezikut që po merrte përsipër BP në shpimin në Gjirin e Meksikës. Kemi shqyrtuar 30 mijë faqe dokumente të BP, përfshi e-mail-et tuaja. Në të nuk ka asnjë e-mail të vetëm që të tregojë se ju keni treguar sadopak vëmendje ndaj rrezikut të jashtëzakonshëm që ishte në prag”, ka deklaruar Waxman.
#