I shembën shtëpinë, plumba fadromistit

Aksioni për pastrimin e Pyllit të Sodës nga ndërtimet pa leje është shoqëruar me krisma armësh. Njëri prej banorëve të zonës, oficer i policisë ushtarake në Vlorë, ka qëlluar me armën e shërbimit mbi fadromistin që po prishte banesën e tij. Fatmirësisht punëtori nuk është plagosur, ndërkohë që autori i ngjarjes dhe tre persona të tjerë janë shoqëruar për në komisariatin e policisë. Mësohet se efektivi i policisë ushtarake, Mariglen Xhelaj, kishte deklaruar se nëse do i prishej banesa, do të reagonte ndaj policisë dhe fadromave. Ndërsa ka parë gjysmën e shtëpisë të rrëzuar, ai është ngritur dhe ka nxjerrë pistoletën e shërbimit, duke qëlluar tri herë në drejtim të fadromistit. Më pas i është bllokuar pistoleta dhe uniformat blu kanë bërë prangosjen e tij. Ndërkaq, banorët e Pyllit të Sodës dhe plazhit të vjetër, të cilët dy ditë më parë bllokuan rrugën dhe u përplasën me policinë, dje kanë protestuar të ndarë në dy grupe në pjesën e brendshme të lagjes. Nuk ka munguar sërish përplasja me uniformat blu dhe shoqërimet për në Komisariatin e Policisë së Vlorës.
Banorët kanë deklaruar se shteti i ka lejuar t’i ndërtojnë banesat, duke u premtuar se do t’i legalizojë. Ndërkohë ata deklarojnë se shteti po i braktis.
Tre skrepat e policisë ndërtimore, të shoqëruara dhe nga një numër i konsiderueshëm policësh të rendit dhe të forcave speciale, i janë drejtuar Pyllit të Sodës rreth orës 05:00 të mëngjesit. Ata janë ndarë në tre grupe dhe kanë nisur aksionin për rrëzimin e të gjitha objekteve pa leje të ndërtuara në këtë zonë pas vitit 2006. Sipas ndërtimorëve, këto ndërtesa nuk janë pjesë e procesit të legalizimet, pasi nuk figurojnë në fotografitë e bëra me satelit.
Ndërkaq, kreu i Inspektoratit Shtetëror të Ndërtimit, Gjergj Bojaxhi, ka qenë prezent në terren qysh në fillimin e aksionit, ndërkohë që për mediat ai konfirmoi se vendimet tashmë do të zbatohen e nuk ka kthim pas. “Kjo është faza e parë e aksionit, ku do të pastrohet zona nga të gjitha ndërtimet pa leje. Përgjithësisht objektet janë në formën e banesave, por të pabanuara në pjesën dërrmuese të tyre, dhe një pjesë janë lokale. Objekteve të banuara ju kemi lënë kohë deri në fazën e dytë të aksionit tonë në Vlorë, që është muaji qershor dhe atëherë do të shemben edhe ato”, ka deklaruar Gjergj Bojaxhi. Më tej ai ka nënvizuar se aksioni i djeshëm është pjesë e procesit që ka nisur për pastrimin e bregdetit shqiptar nga ndërtimet pa leje. “Me këtë veprim ne u japim një mesazh të qartë atyre që çdo ditë kërkojnë të ngushtojnë hapësirat e gjelbra”, nënvizoi Bojaxhi. Ai theksoi se, aksioni që nisi me zonën e Ksamilit, përbën një proces që do të vazhdojë sistematikisht përgjatë gjithë bregdetit shqiptar dhe për pastrimin e tij nga të gjitha objektet pa leje që cenojnë vlerat turistike”. Sipas Bojaxhiut, aksioni në Pyllin e Sodës do të vazhdojë përgjatë tri ditëve dhe do të shtrihet më pas në zonën nga Kepi i Rodonit në Bisht Pallë. “Pas kësaj do të mbyllet faza e parë për shkak të sezonit veror, për të rinisur në vjeshtë, kur do të studiohen dhe do të evidentohen objektet e ndërtuara pa leje në zonën nga Vlora në Orikum”, ka thënë kreu i ndërtimorëve. Ndërkaq, lidhur me pastrimin e mbeturinave të inerteve, Bojaxhi u shpreh se pushteti lokal i ka të gjitha kapacitetet për t’i pastruar këto zona nga mbeturinat e betonta.
Pylli i Sodës, me një sipërfaqe të përgjithshme prej 670 hektarësh, është një nga zonat e gjelbëruara më të rëndësishme për Vlorën dhe cilësohet ndryshe “mushkëria e qytetit”. Këtu do të prishen 80 godina, ku pjesa më e madhe janë shtëpi banimi.
#