Konklava Rama-Meta, sërish nuk del tym i bardhë nga oxhaku i PS-së
Tiranë- Lideri i LSI-së Ilir Meta ka ngjitur për së dyti herë brenda një kohe të shkurtër këtë muaj shkallët e selisë rozë paraditen e sotme.
Takimi mes Metës, kryetari i Kuvendit të ardhshëm dhe kryeministrit të zgjedhur Edi Rama vjen në prag të krijimit të kabinetit të ri qeveritar. Por megjithëse ka mbetur edhe pak kohë, ende nuk ka asnjë emër zyrtar të qeverisë së re.
Meta shkoi sërish në Partinë Socialiste, bisedoi me Ramën por sërish nuk ka lajme për ministrat e rinj dhe ndarjen e kabinetit.
Pas më shumë se 50 minuta Meta teksa ka dalë nga takimi me Ramën i pyetur nga gazetarët në lidhje me ankimimin e partisë së tij për qarkun e Lezhës, tha: ‘Nga Kolegji presim vetëm zbatimin e ligjit’.
“Kolegji gjedhor mori një vendim të qartë. Transparenca është mjaft e rëndësishme gjithnjë sipas ligjit e Kodi ka qenë i qartë se procesi i hapjes së kutive mund të bëhet vetëm me 5 vota, vetëm Kolegji në kushtet kur gjysmë KQZ-ja ka katër anëtarë, kush s’është dakort të ndjekë rrugët ligjore që ofrohen”,- u shpreh Meta.
Ky është takimi i dytë i Metës me Ramën në vazhdën e bisedimeve për qeverinë e re kur ka mbetur edhe shumë pak kohë. Më 15 korrik ishte takimi i parë mes dy liderëve ku Meta shkonte për herë të parë në selinë rozë pas 9 vitesh.