E Diel, 1 Nëntor 2026

Konkurs Kombëtar Arkitekture për në Bienalen e Venecias

David Chipperfield

Valeria Dedaj

Shqipëria do të jetë pjesëmarrëse në edicionin e 13-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Arkitekturës organizuar nga La Biennale di Venezia më 29 gusht- 25 nëntor 2012.

Me një Urdhër të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, u shpall dje i hapur Konkursi Kombëtar i Arkitekturës prej të cilit do të zgjidhen përfaqësuesit e vendit në këtë Bienale. Prandaj zv/Ministri i Kulturës Abaz Hado prezantoi temën e konkursit dhe kushtet që duhet të plotësojnë pjesëmarrësit. Tema është Rijetëzimi Funksional dhe Estetik i Ndërtesave, ndërthurjes së historisë dhe traditës me tendencat bashkëkohore në arkitekturë. Konkurrentët duhet të jenë arkitektë profesionistë por edhe individë të përfaqësuar me studio arkitekture, artistë të arteve pamore, deri dhe studentë të arkitekturës.

Projekti nuk duhet të jetë prezantuar në asnjë veprimtari tjetër të mëparshme. Juria e konkursit me 5 anëtarë, akoma e pazgjedhur, nxjerr në finale katër projekte, dy për vende të para dhe dy çmime për punimet më të mira studentore. Çmimi për vendin e parë shpërblehet me 250 mijë lekë, ndërsa punimi më i mirë studentor me 75 mijë lekë. Projektet dorëzohen pranë MTKRS-së brenda datës 15 qershor. Fituesit shpallen më 20 qershor.

Edicioni i 13-të i Ekspozitës Ndërkombëtare të Arkitekturës titulluar Vende të përbashkëta nën drejtimin e David Chipperfield-it, mbahet, si zakonisht në Kopshtet e Bienales dhe në Arsenale, por edhe në hapësira të qytetit të Venecias. Marrin pjesë 55 vende. Pesë vende marrin pjesë për herë të parë: Angola, Republika e Kosovës, Kuvajtit, Peruja dhe Turqia.

Në total do të jenë 104 pjesëmarrës. David Chipperfield propozon temën e Vendeve të përbashkëta për të theksuar prej saj çfarë kemi të përbashkët. Mbi të gjitha, ambicia e Common Ground është që të rishpallë ekzistencën e një kulture mbi arkitekturën krijuar jo thjesht nga talente të veçantë, por si një vazhdimësi e larmishme e ideve të ndryshme që i bashkon një histori e përbashkët, ambicie të përbashkëta, vështirësi dhe ideale të përbashkëta.

Nëntema që propozon Shqipëria në kuadrin e temës së madhe, fokusohet në mënyrë specifike në rijetëzimin e monumenteve të kulturës si dhe të strukturave ndërtimore ushtarake në vendin tonë. Ajo propozon diskutimin e koncepteve për transformimin e monumenteve apo të strukturave ushtarake në destinacione të mirëfillta turistike. Konkurrentët në Konkursin Kombëtar të Arkitekturës duhet të marrin në konsideratë adoptimin e funksioneve të reja në strukturën ekzistuese të një monumenti, duke respektuar vlerat historike dhe arkitektonike të tij por ndërkohë duke i dhënë hapësirë trajtesave arkitektonike bashkëkohore moderne nëpërmjet kompozimit volumetrik, llojit të materialeve të përdorur, programit, etj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›