Konkursi kombëtar i Gjuhës Shqipe, Manastirliu: Nis faza e dytë, nxënësit njohuri gjuhësore dhe komunikuese

TIRANË, 17 mars/ATSH/ Në shkollat e arsimit parauniversitar në të gjithë vendin po vijon faza e dytë e konkursit kombëtar të Gjuhës Shqipe.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ndau në rrjetet sociale momente nga ky konkurs, ku janë të angazhuar mbi 11 mijë nxënës të klasave të nënta nga 700 shkolla.
“Nxënës të klasave të 9-ta nga e gjithë Shqipëria po sfidojnë njëri-tjetrin në fazën e dytë të konkursit kombëtar të Gjuhës Shqipe. Skuadrat fituese të shkollave po përballen me shumë emocione, duke treguar njohuritë e tyre gjuhësore dhe aftësitë komunikuese”, tha Manastirliu.
Ministrja Manastirliu u shpreh se “ky konkurs i kthyer tashmë në traditë, është një mundësi për të nxitur dashurinë për gjuhën tonë të bukur dhe për të forcuar lidhjen me trashëgiminë kulturore”.
Manastirliu i i uroi suksese nxënësve në fazat e edicionit të 3-të të konkursit kombëtar të Gjuhës Shqipe.
Pas fazës së parë ku nxënësit zhvilluan konkurs mes klasave të nënta në çdo shkollë për të identifikuar nxënësit që shfaqin talent ose aftësi të spikatura gjuhësore, tashmë do të përfaqësojnë shkollën në nivele të tjera. Skuadrat në fazën e dytë garojnë në nivel rajoni për të nxjerrë 20 skuadrat më të mira do të shkojnë në fazën gjysmëfinale, e cila do të transmetohet drejtpërdrejt në ekranin e RTSH.
Ky është edicioni i tretë i Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe që zhvillohet me nxënësit e klasave të nënta në mbarë vendin.
1 nga 9/k.s/ /a.f/