E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konsensusi

Tani vendi ynë ndodhet në prag të një ngjarjeje të pazakontë, që tërë njerëzit e tij e kanë pritur prej kohësh me kërshëri të veçantë. Fjala është që, përpara marrjes në vjeshtë të statusit të Shtetit kandidat për në BE, ajo që mund t’i prijë me shpejtësi procesit drejt këtij akti ka të bëjë me zgjedhjen e Presidentit të ri Republikës. Sigurisht, kjo do të ndodhte një ditë, në harkun prej 5 vitesh që parashikon Kushtetuta për vlefshmërinë e mandatit të Kreut të Shtetit. Çështja është për mënyrën e zgjedhjes së tij, që ende qëndron një problem i hapur për zgjidhje: Sipas oreksit të mazhorancës qeverisëse, apo konsensusin ndërmjet forcave parlamentare të vendit?

Kjo dilemë e shfaqur haptazi nga qëndrimet publike të liderëve politikë shqiptarë, ndonëse këshillat e aleatëve strategjikë të vendit tonë kanë qenë dhe mbeten të qarta, nuk mund të mos shkaktonin edhe diskutime e debate në mediat e shkruara dhe ato vizive. Madje, diskutime dhe debate edhe vetëm pak orë përpara zhvillimit të një takimi midis liderëve të partive më të mëdha kundërshtare. Por, për aq sa kam mundur t’i ndjek, më aktivët më janë dukur disa tipa të ngrefosur nëpër studio televizive, shumë të mbajtur jo vetëm në veshje, por edhe në krehjen e flokëve, të cilët tek ndiqeshin duke u shprehur mbi një çështje serioze për të ardhmen e vendit, përgjysmë u mbylleshin sytë e ngjyer në lumturinë e buzëqeshjeve dhe në derdhjen e duarve të kryqëzuara. Kështu, me pamjet dhe sigurinë rreth atyre që ekspozonin, atyre që thoshin, gjithçka u merrte trajtat e shtirjes, sikur të qenë marioneta rrobaqepësish dhe vitrina sallonesh kozmetike. Ndërprisnin fjalën e të ftuarit kryesor dhe ngatërronin rolin me ‘të, jepnin konkluzione dhe miratonin njëri – tjetrin kur binte fjala për mundësinë e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, në përputhje me çka kishte artikuluar shefi ekzekutiv i këtij vendi në rrënim e sipër, apo oponenti qëndrueshmërisht konstant i këtij të fundit.

Nejse, pa u zgjatur me diskutantët – pretendentë për analistë e politologë të mbaruar, njëri prej të cilëve e quante kandidatin e PD – së nga radhët e Gjykatës Kushtetuese si zgjidhjen më të mirë, ndërsa tjetra zgjidhjen e shihte te domosdoshmëria e zgjedhjes në krye të Shtetit të një politikani që nesër pasnesër mund t’u kundërvihej edhe përpjekjeve penguese të supozuara të ushtarakëve(?!); pa u ndalur as te hatërmbetjet, shantazhet dhe kërcënimet e një ish – i si Fatos Nano, sipas të cilit shefi i opozitës duhej të kishte guxim të tepruar po të mos ia llogariste emrin në garën për President etj, etj., te gjithçka pra, që shkakton këtë zallamahi bisedash të pavlera dhe lëvizjesh të ethshme ndjehet dufma e lloj – lloj preferencash dhe servilepsjesh. Por, fatkeqësisht, jo fryma e dëshirës për një zgjidhje parësore, të admirueshme dhe të gjithëpranuar, që do të përcaktonte fat të njëjtë për tërë procesin tonë të shpejtë integrues europian. Mirëpo, edhe politologët më pragmatistë të shekullit të kaluar nuk kanë kërkuar që të nxirren nga metodat tradicionale të kësaj fushe gjithë forca e tyre “pjellore”, sepse besonin dhe deklaronin që shpërdorimi i logjikës ose i filozofisë fillon pikërisht atëherë, kur qëllimet e ngushta në shërbim të një individi në pushtet dhe të disa personave që e qarkojnë atë trajtohen si vlerat më të larta dhe përfundimtare.

Në këtë këndvështrim, ndoshta nuk do të ishte e tepërt që të kujtohet këtu fillimisht koha e vendi i artikulimit të termit ‘konsensus’ dhe më pas përdorimet politike të tij gjatë dekadave të fundit, veçanërisht në zhvillimin e parlamentarizmit modern dhe forcimin e shtetit të së drejtës. Konkretisht, nëpër analet e të drejtës ndërkombëtare publike përmendet, se aty nga mesi i viteve ’60, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ishte e dominuar prej mosmarrëveshjeve rreth dy çështjeve të diskutueshme, që kishin të bënin me zhvillimet e asaj kohe në Kongo - Leopoldvil, që së shpejti u quajt Zaire, si edhe me problemet e lindura mbi Kanalin e Suezit. Për t’u dhënë fund këtyre diskutimeve, me tonet e larta të të cilave u ndje krahas Bashkimit Sovjetik dhe Francës, po ashtu Shqipëria e vogël komuniste, atëherë Sekretari i Përgjithshëm i OKB – së, ish - Kreu i Birmanisë (sot: Mianmar), gjenerali U–Tan u kërkoi përfaqësuesve të Shteteve Anëtare që të mirëkuptoheshin për çështjet përkatëse, duke rënë dakord për zgjidhjen e problemeve parësore, pa u privuar në mbajtjen e rezervave për probleme sekondare dhe terciare. Në ligjëratën e tij u përdor për herë të parë, së paku në praktikat institucionale ndërkombëtare, termi ‘konsensus’.

Më pas, këtij termi iu dha kuptim dhe përdorim i gjerë, sidomos në të drejtën parlamentare të Shteteve demokratike. Dihet që në çdo shtet të tillë, mundësinë për të vendosur e ka partia apo koalicioni mazhoritar, ndërsa mundësinë për të penguar e ka opozita. Prandaj, shpesh herë theksohet që demokracia, megjithëse vepron duke siguruar qeverisjen nga ana e shumicës, në themelet kushtetuese të saj përfaqëson të gjithë shoqërinë. Kështu, shteti kushtetues karakterizohet në thelb si forma juridike e një demokracie pluraliste. Në këtë optikë të plotë dhe të qartë, konstitucionalistë dhe politologë të zëshëm kanë këmbëngulur se: “Një demokraci e tipit kushtues është një demokraci që nuk ia fal të gjithë pushtetin shumicës”, “Demokracia politike është jo aq qeverisja e shumicës, se sa e pakicave”, “Një demokraci, në të cilën shumica ushtron pushtetin e saj pa kufizim mund të jetë po aq tiranike sa një diktaturë”, “Asnjë qeverisje nuk mund të ketë siguri të gjatë pa një opozitë shumë të fortë” etj. Në rrjedhën e vlerësimeve të tilla është kthjelluar gjithnjë e më shumë opinioni i përgjithshëm, se pushteti i shumicës që është “shprehje funksionale” e parimit demokratik, vetvetiu nënkupton një opozitë që duhet të jetë e njohur politikisht dhe e mbrojtur juridikisht. Dhe, duke qenë kjo një kriter i regjimit demokratik, objektiv legjitim i saj është edhe bashkëpunimi në ushtrimin e pushtetit.
Ndërkohë, në tërë vendet demokratike të Europës dhe përtej saj mandati i deputetit është përfaqësues dhe kombëtar, pavarësisht sistemit elektoral, me të cilin zgjidhet ai. Për rrjedhojë, veç të tjerash, vullneti i deputetit duhet të përjetohet nëpërmjet frymës së Kushtetutës që mishërohet te populli, kur ky e ka votuar Ligjin Themelor me anë të referendumit të përgjithshëm. Ky tipar është gjithashtu shumë i rëndësishëm, kur bëhet fjalë sidomos për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, të cilin Kushtetuta e Shqipërisë në nenin 86/1 të saj e përcakton si Kryetar të Shtetit dhe përfaqësues të unitetit të popullit. Gjithkaq, ai konceptohet si një figurë që qëndron jashtë pushteteve tradicionale, por që në mënyra të ndryshme influencon në veprimtarinë e tyre. Prandaj, zgjedhja e Presidentit do ta forconte pozitën e vet si autoritet jashtë partive dhe mbi ‘to, burimi i të cilit gjendet te konsensusi i domosdoshëm i mazhorancës dhe opozitës parlamentare. Në të kundërt do të cënoheshin seriozisht, bashkë me balancimin e pushteteve, edhe marrëdhëniet e drejta të të dyja kaheve parlamentare, marrëdhënie të cilat përbëjnë një nga karakteristikat themelore të demokracisë liberale.

Në rastin tonë, ashtu sikurse është theksuar edhe para pak ditëve te “Gazeta Shqiptare”, nuk duhej të ndodhte ajo që nuk duhej pritur. Pra, përpara se të kishin filluar procedurat për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës ishte e domosdoshme që të qe bërë marrëveshja për modalitetet e kësaj zgjedhjeje, nëpërmjet takimeve politike të nivelit të lartë. Dhe së fundmi, pas letrës së Komisionerit për Zgjerimin e Komisionit Europian, nga Kryeministri ynë u kërkua që të ulet në një takim paraprak me atë vet edhe lideri i opozitës, paraprakisht nuk mund të bëhet fjalë për një konsensus të plotë ndërmjet tyre dhe forcave politike që drejtojnë, kur Berisha e quajti këtë takim një “lëshim” prej tij dhe deklaroi vendosjen e disa kushteve, kryesisht për të diskutuar në fillim kandidaturën e PD – së, të shprehur sefte jashtë marrëveshjes bilaterale.

Sidoqoftë, nëse zgjedhja e Presidentit të Republikës nuk do t’i nënshtrohej një konsensusi të arsyeshëm është e kuptueshme që do të komprometohej rëndë gjithë procesi integrues (fillimisht edhe miratimi i dy reformave të profilit politik), çka do të vinte në pikëpyetje marrjen e statusit të Shtetit kandidat për në BE. Të atij statusi, që populli shqiptar e pret me padurim që prej tre vjetësh. Në përgjithësi, vlerësimet e faktorit ndërkombëtar janë që zhvillimet e tashme janë përcaktuese për këtë, përderisa kërkohet një makineri e fortë institucionale dhe aq më tepër, kur neni 2 i Traktatit të Bashkimit Europian, me përmbajtjen që mori pas hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës përmend qartë vlerat e Unionit (citoj): “Bashkimi bazohet në vlerat e respektimit të dinjitetit njerëzor, lirisë, demokracisë, barazisë, të Shtetit të së drejtës dhe të respektimit të të drejtave të njeriut, përfshirë këtu të drejtat që u përkasin minoriteteve. Këto vlera janë të përbashkëta për Shtetet Anëtare në një shoqëri të karakterizuar nga pluralizmi, mosdiskriminimi, toleranca, drejtësia, solidariteti dhe barazia midis grave dhe burrave”. Dhe, më tej, në nenin 49 të të njëjtit Traktat përcaktohet, se respektimi i këtyre vlerave është një prej kushteve për aderim në Bashkimin Europian.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›