E Shtunë, 31 Tetor 2026

INTERVISTE/Mediu: Duhen 3500 vjet për t’i kompensuar ish-pronarët

TIRANE-Partia Republikane është pozicionuar kundër demokratëve gjatë debateve mbi disa ligje për tokat, të kaluara së fundmi në parlament. Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu sqaron për “Gazetën Shqiptare”, përse abstenoi në mbledhjen e qeverisë ligjin për tokat e ish-ndërmarrjeve bujqësore, si dhe argumenton përse edhe e votoi kundër në Parlament. Në intervistë, ministri i Mjedisit sqaron këndvështrimin e tij mbi çështjen e pronave në përgjithësi, duke e vënë theksin te mungesa e vullnetit politik të palëve për t’i gjetur një zgjidhje përfundimtare. Fatmir Mediu nuk pranon as pozicionimin e paqartëve të të majtëve në debatin mbi pronat, të cilin e sheh më shumë si një demagogji në emër të votave dhe jo si një përballje objektive me realitetin.

Partia Republikane doli me një qëndrim të sajin gjatë debateve që shoqëruan gjithë procesin e diskutimit dhe miratimit të disa ligjeve për pronat, të cilët u votuan para pak javësh në parlament...
Ndryshe nga partitë e tjera, Partia Republikane ka një qëndrim të vetin mbi çështjet e pronave. Është një parti e cila që prej vitit 1991 ka kërkuar që shteti i së drejtës të funksionojë, dhe nuk e ka parë këtë si një çështje politike, por si një çështje që ka të bëjë vetëm me të drejtën e individit. Pronari i ligjshëm duhet të përfitojë pronën që i takon. Nga ana tjetër, e ka parë çështjen e pronës në bazë të zhvillimit të ekonomisë së lirë. Mungesa e investimeve të huaja në masë të madhe varet nga problemet që kemi hasur gjatë gjithë këtyre viteve me çështjen e pronës dhe konfliktet mbi pronën. Po ashtu, synimi ynë i përhershëm përfundimtar është arritja te një kushtetutë ku përcaktohet qartësisht kush është pronari, si tjetërsohet prona e detyrimet që ka shteti. Jemi të mendimit se kushtetuta aktuale nuk respekton të drejtën e pronës, e për më tepër nuk ka të bëjë me atë frymë që kërkon rrugëtimi ynë drejt Bashkimit Evropian. Komiteti Europian i të drejtave të njeriut ka përcaktuar tashmë qëndrimin që duhet të kemi karshi pronës. Po ashtu, Gjykata e Strasburgut e ka vënë qeverinë në pozicionin e detyrueshëm të zgjidhjes së problemit të ish-pronarëve. Këto duhet të shërbejnë për qeverinë edhe si orientues për drejtimin që duhet të ndjekë kur vjen fjala te zgjidhja e çështjes së pronës. Ndërkohë që, në vazhdimësi ligjet e miratuara, në gjykimin tim, kanë krijuar precedentin negativ ku shteti merr atributet e pronarit. Shteti vazhdon të konsiderohet pronar e të japë atë që nuk është e tija. Në dukje kërkon të zgjidhë probleme në njërën anë, por krijon mundësi për abuzime në anën tjetër.
Këtë qëndrim e shprehët edhe duke votuar kundër ligjit në parlament. Në terma më praktike, çfarë pretendoi Partia Republikane?
Po, në parlament votova kundër miratimit të ligjit. Si parti kërkuam që të mos u jepen titujt e pronësisë, atyre njerëzve që e kanë në përdorim, por nuk kanë dokumentacionin e duhur për t’u njohur si pronarë. Kërkuam gjithashtu që të mos u njihej e drejta e pronësisë disa kategorish njerëzish që e kanë përfituar në mënyrë të padrejtë, edhe pse në bazë të disa ligjeve që ne i konsiderojmë si në kundërshti të Kushtetutës. Kërkuam gjithashtu që të përcaktohej qartë fondi financiar dhe fizik që duhet të përdoret për kthimin dhe kompensimin e pronarëve. Nëse do të ecim me logjikën që të japim sa më shumë, pa vlerësuar pronarët, është më se e dukshme që nuk do ketë sipërfaqe në dispozicion për t’ua kthyer apo kompensuar ish-pronarëve. Kjo, pasi ndarjet e paligjshme të tokave, mbivendosjeve të paligjshme, transaksioneve të paligjshme. Nga ana tjetër fatura financiare për shtetin do të qe jashtëzakonisht e rëndë, me ritmet e deritanishme të kompensimit, do të na duheshin 3000-3500 vjet për të kompensuar ish-pronarët.
Si e lexoni faktin që Gjykata e Strasburgut ka njohur fitues të gjithë ish-pronarët që kanë dërguar atje çështjet e pronave të tyre në pamundësi të zgjidhjes nga shteti shqiptar?
Strasburgu na thotë një gjë: Ne duhet të përcaktojmë qartë ç’është shteti e ç’është individi. Dua të përmend një pasazh të Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Po përpiqem ta citoj: “Ne mbajmë disa të vërteta të patjetërsueshme, që të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, të veshur të tillë nga autoriteti i Krijuesit. Ne nuk mund të zëvendësojmë atë të drejtë që u është dhënë për jetën, pronën, lirinë dhe lumturinë. Pra, janë disa të drejta që nuk mund të jenë nën përgjegjësi të qeverisë. Janë disa të drejta të cilat janë pjesë e një procesi të qartë të trashëgimisë dhe vlerës së pronës private”. Në këtë pikëpamje, është e detyrueshme që shteti t’i përmbahet detyrimit për t’u dhënë pronarëve atë që u takon si e drejtë legjitime.
Ju rezulton se shteti nuk po ua respekton këtë të drejtë?
Në gjykimin tim, jo. Ka një diskutim të gjerë politik nga e gjithë klasa politike. Edhe Partia Socialiste po përpiqet të bëjë lojën e vet duke u pozicionuar në dukje në favor të pronarëve, por pa ditur akoma nëse është për 7501-shin apo për fermat bujqësore... Në jug flet për pronarët, por në të njëjtën kohë flet edhe për fermerët që e kanë marrë sipas ligjit 8035, i cili është një absurditet më vete. Është një konfuzion i cili kërkohet të shfrytëzohet politikisht nga të gjitha palët. Ndërkaq, Bashkimi Europian na vë përpara kushtit të respektimit me domosdoshmëri të konventës evropiane për të drejtat e njeriut, dhe vendimet që vijnë nga Gjykata e Strasburgut, janë pasojë e konventës evropiane për të drejtat e njeriut, të cilën ne jemi të detyruar ta respektojmë.
Meqë përmendet Partinë Socialiste, po ju përmend pozicionimin e saj në këtë çështje. Sipas PS, nuk është e vërtetë ajo që duket se kërkon me këtë ligj qeveria, dhënien e sa më shumë tapive. Sipas të majtëve, realisht PD kërkon përjashtimin e sa më shumë familjeve e individëve nga njohja e titujve të pronësisë, duke krijuar një fond rezervë, sa më të madh të jetë e mundur.
Siç e thashë më lart, Partia Socialiste është shumë konfuze kur vjen fjala te ligjet mbi tokën. Është e vërtetë që në një pjesë të ligjit qeveria tenton të krijojë fond sa më të madh rezervë, por nga ana tjetër, nëse ju njihet e drejta e pronës atyre që e kanë në përdorim falë allishverisheve e zaptimeve të paligjshme, nuk do të mund të krijohej një fond fizik kompensimi. Pra, koncepti i qeverisë, i Partisë Demokratike, për ta zgjidhur këtë problem duke u dhënë tituj pronësie atyre që sipas praktikave të mëparshme u mungon dokumentacioni i plotë, apo të tjerëve që i kanë zaptuar, e bën shumë të vështirë krijimin e një fondi kompensimi fizik. Partia Socialiste vepron edhe më keq, duke mos e vlerësuar në mënyrën e duhur këtë situatë. Nuk vihet aspak përkrah interesave të pronarëve, por ndesh me ta. Ajo që po bëjnë tani socialistët është tërësisht demagogji. Mendoj se ka ardhur koha që të kuptojmë qartësisht sa dhe ku është sipërfaqja e lirë, sa dhe ku janë shkeljet e ligjit, dhe nga ana tjetër si duhet vepruar me kompensimin financiar.
Ç’ndodh nëse përcaktohen me qartësi këto hapësira?
Nuk besoj se është e pamundur arritja e rezultateve pozitive. Duhen parë mundësitë që na jep vetë legjislacioni për zgjidhjen e çështjes së pronave. Është ky edhe motivi i krijimit të komisionit të verifikimit të titujve të pronësisë, në mënyrë që të tregonte komunë pas komune e rast pas rasti ku janë këto shkelje. Po ju marr një shembull, bregdetin. Komisioni i verifikimit të titujve të pronësisë, ka verifikuar në çdo fshat e në çdo komunë. Çështja mbetet te vullneti politik, sa duam t’i trajtojmë çështje pas çështjeje në mënyrë të drejtë.
Mungesë vullneti për të cilën keni mbajtur qëndrim edhe gjatë një mbledhjeje qeverie, gjë që u komentua gjatë edhe nga të majtët për shkak të pozicionimit tuaj të dyzuar në cilësinë e deputetit dhe pjesëtarit të kabinetit...
Sigurisht, unë shpreha qëndrimin e Partisë Republikane duke u vendosur kundër vullnetit të Këshillit të Ministrave. Pati pretendime nga ana e opozitës, për faktin që një ministër nuk mund të pozicionohet kundër vendimeve të qeverisë. Por më duhet t’ju kujtoj, se unë jam edhe Deputet i Kuvendit të Shqipërisë, kam edhe të drejtën e iniciativës ligjore. Po ashtu, u kujtoj kolegëve të mi socialistë, se gjatë gjithë kësaj periudhe, si në aktivitetin publik ashtu edhe në atë parlamentar, nuk kam hezituar për asnjë moment, të përcjell frymën e Partisë Republikane, të përcjell ato qëndrime që ne i mendojmë si zgjidhja më e mirë për çështjen e pronës. Që nga ideja e abrogimit të ligjit 7501, që nga ndryshimet ligjore që bënë dy partitë e mëdha në vitin 2003, deri te kërkesat tona të vazhdueshme për respektimin e Kushtetutës. Çdo qëndrim i Partisë Republikane, qoftë abstenimi në mbledhje të qeverisë, apo vota kundër në parlament, ka pasur në thelb respektimin e të drejtave të ish-pronarëve.
Si e shihni çështjen e pronave pas një dekade?
E drejta e pronës është e patjetërsueshme, është e përcaktuar mëse qartë në konventën evropiane të të drejtave të njeriut, ashtu si edhe në Kushtetutën Shqiptare. Gjykata e Strasburgut na tregon se, pavarësisht vendimeve të marra në kohë në dëm të pronarëve, shteti është përpara detyrimit ligjor për t’u dhënë zgjidhje çështjeve të pronarëve legjitimë. Problemi është se, pas dhjetë vitesh mund të kemi 2 mijë vendime të Gjykatës së Strasburgut, të cilat në terma praktike janë fatura që duhet të shlyhen nga shteti për të kompensuar pronarët. Duhet vepruar sa më shpejt, që kostoja e këtyre faturave të jetë sa më vogël, pasi shumëfishohet me kalimin e viteve.
Një çështje që ndezi shumë debate gjatë diskutimit të ligjit të tokave ishte marrja e kompetencës për përllogaritjen e vlerës së pronave nga ana e qeverisë. Të majtët dhe palët e interesit, madje edhe deputeti i djathtë Alibeaj, thanë se këtë duhet të vazhdojë ta bëjë parlamenti, duke qenë se qeveria mund ta keqpërdorë sipas interesave të momentit...
Shqetësimi i shprehur në këtë rast qe i imi, i z.Alibeaj dhe i të majtëve. Ministria e Drejtësisë solli një metodikë që është mbarëevropiane, e cila përllogarit vlerën e një prone në bazë të vlerës së tregut. Për sa kohë që kjo metodikë u bë pjesë e ligjit, qeveria është e detyruar ta zbatojë duke iu përmbajtur ligjit. Në rast se do të mungonte vullneti, do kishim keqpërdorim të kompetencës si kur ajo i takon parlamentit, ashtu edhe qeverisë. Mos të harrojmë, një mazhorancë dhe një qeverisje vijnë nga i njëjti pozicion politik. Në këtë këndvështrim, mendoj se e rëndësishme është të zbatohet metodika që ka përcaktuar Ministria e Drejtësisë. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që vlerësimi i pronave ka pasur deformime jo të vogla, të cilat patjetër duhet të korrigjohen. 

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›