E Diel, 1 Nëntor 2026

Konstitucionalisti i njohur dhe një prej themeluesve të Akademisë së Shkencave, Luan Omari, ndahet nga jeta në moshën 101-vjeçare

Është ndarë nga jeta në moshën 101-vjeçare akademiku Luan Omari, një prej figurave të njohura të shkencës dhe jurisprudencës shqiptare.

luan omari

Lajmi u bë i ditur nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, e cila shprehu ngushëllimet për humbjen e një prej personaliteteve të saj themeluese.

Mësohet se ceremonia e nderimeve për Omarin do të zhvillohet më 30 tetor 2026, në ambientet e Akademisë së Shkencave.

Sipas programit, në orën 10:00 do të mbahet Akademia Solemne në sallën “Aleks Buda”. Nga ora 11:00 deri në 13:00 do të zhvillohen homazhet, ndërsa në orën 13:00 do të mbahet fjala e lamtumirës nga kryetari i Akademisë së Shkencave.

Kush ishte Luan Omari?

Konstitucionalisti Luan Omari ishte anëtar themelues i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku shërbeu edhe si sekretar shkencor dhe zëvendëskryetar. Për dekada me radhë, ai kontribuoi në studimin e së drejtës publike dhe kushtetuese, si dhe në zhvillimin e mendimit juridik në vend.

I lindur më 10 qershor 1925 në Tiranë, Omari kreu arsimin e hershëm në Bari të Italisë, ndërsa studimet e larta për drejtësi i vijoi në Beograd dhe Sofje, ku u diplomua në shkencat juridike.

Karriera e tij akademike është e lidhur ngushtë me Universitetin e Tiranës dhe zhvillimin e arsimit juridik në Shqipëri. Ai shërbeu si docent i së Drejtës Publike në Institutin e Lartë Juridik, ndërsa më pas drejtoi për gati dy dekada Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Gjatë kësaj periudhe, ai dha një kontribut të rëndësishëm në formimin e brezave të juristëve dhe studiuesve të së drejtës.

Ai ishte autor i dhjetëra studimeve dhe monografive mbi historinë e së drejtës në Shqipëri, të drejtën publike dhe kushtetuese, si dhe sistemin juridik shqiptar.

Po ashtu, mori pjesë në proceset dhe debatet kushtetuese për hartimin e Kushtetutës së Shqipërisë dhe të ligjeve kushtetuese pas viteve 1990.

Njoftimi nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë

Akademia e Shkencave e Shqipërisë njofton me hidhërim të thellë se sot, më 29 tetor 2026, u nda nga jeta në moshën 101 vjeçare akademik Luan Omari, anëtar themelues i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ish sekretar shkencor dhe zëvendëskryetar i saj.

Me largimin e tij, shkenca dhe kultura shqiptare humbasin një dijetar të përkushtuar, i cili për shumë dekada ia kushtoi jetën kërkimit shkencor, studimit dhe zhvillimit të së drejtës dhe shkencave juridike në Shqipëri. Jeta dhe vepra e tij janë të lidhura ngushtë me zhvillimin e mendimit juridik shqiptar dhe me përpjekjet për forcimin e institucioneve demokratike e të Shtetit të së Drejtës.

Akademik Luan Omari lindi më 10 qershor 1925 në Tiranë, në një familje me tradita të forta kulturore dhe arsimore. Arsimin e hershëm e kreu në Bari të Italisë, ndërsa diplomën e maturës e mori në gjimnazin e Tiranës. Studimet e larta për drejtësi i vijoi në Beograd dhe Sofje, ku u diplomua për shkencat juridike, duke shërbyer si një nga juristët më të përgatitur të vendit.

Karriera e tij është e lidhur ngushtë me zhvillimin e arsimit të lartë dhe institucioneve akademike në vend. Ka qenë docent i së drejtës Publike në Institutin e Lartë Juridik, dekan i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës për gati dy dekada, profesor i Teorisë së shtetit e të së drejtës dhe e i së Drejtës Publike në këtë Universitet.

Përtej kufijve të Shqipërisë, Profesor Omari ka përfaqësuar vendin në Komisionin e Venecias pranë Këshillit të Evropës, duke përcjellë perspektivën shqiptare në debatet europiane mbi demokracinë dhe të drejtën Kushtetuese, si një figurë e spikatur e mendimit akademik shqiptar dhe europian.

Ai është autor i dhjetëra studimeve dhe monografive mbi historinë e të drejtës në Shqipëri, të drejtën Publike e atë Kushtetuese, si dhe mbi sistemin juridik shqiptar. Akad. Omari ka marrë pjesë në të gjitha proceset e debatet kushtetuese për hartimin e Kushtetutës së Shqipërisë dhe ligjeve kushtetuese pas viteve ’90. Ai ka formuar breza të tërë juristësh e akademikësh që sot mbajnë përgjegjësi të larta në jetën juridike dhe akademike të vendit.

Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, në vitin 2020 Presidenti i Republikës e nderoi me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, si shenjë mirënjohjeje për meritat e tij të veçanta në fushën e së drejtës dhe për rolin e tij si themelues i institucioneve të dijes në Shqipëri.

Ndërsa, Akademia e Shkencave e Shqipërisë e nderoi me Çmimin e Karrierës Akademike, në vitin 2016.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë u shpreh ngushëllimet më të thella familjes, të afërmve, miqve, kolegëve dhe gjithë bashkësisë shkencore për këtë humbje.

I paharruar kujtimi i akademik Luan Omarit!

  • Nderimet për akademik Luan Omarin, datë 30 tetor 2026, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë

Ora 10.00: Akademi Solemne në sallën “Aleks Buda”

Ora 11.00-13.00: HOMAZHET

Ora 13.00: Fjala e Lamtumirës për akademik Luan Omarin nga kryetari i ASHSH akademik Skënder Gjinushi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›