Konstituimi i Kuvendit të Kosovës, Osmani: Uroj që ky mandat të shquhet për vendime të rëndësishme shtetërore

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Albulena Haxhiun për zgjedhjen e saj si Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe nënkryetarët për përgjegjësinë që u është besuar nga përfaqësuesit e zgjedhur të qytetarëve.
“Kuvendi i Republikës është themeli i demokracisë sonë parlamentare dhe institucioni ku materializohet vullneti i qytetarëve. Besoj fuqishëm se udhëheqja e re e Kuvendit do ta ushtrojë këtë mandat me përgjegjësi demokratike, në respektim të Kushtetutës dhe me përkushtim ndaj interesit të Republikës së Kosovës,” shkruan Osmani.
Ajo ritheksoi nevojën për bashkëpunim ndërinstitucional, funksionim të plotë të Kuvendit dhe forcim të shtetit të së drejtës, si dhe për mbrojtjen e vlerave shtetërore dhe avancimin e agjendës euroatlantike.
“Në këtë moment të rëndësishëm institucional, ritheksoj nevojën për bashkëpunim ndërinstitucional e konstruktiv dhe funksionim të plotë të Kuvendit, në shërbim të forcimit të shtetit të së drejtës, stabilitetit demokratik, mbrojtjes së vlerave tona shtetërore e historike dhe avancimit të agjendës sonë euroatlantike. Uroj që ky mandat të shquhet për vendime të rëndësishme shtetërore, kulturë të lartë demokratike dhe angazhim të palëkundur në shërbim të qytetarëve dhe të Republikës sonë! Punë të mbarë dhe suksese në detyrën tuaj të lartë shtetërore!”, shkruan Osmani.
/rtsh.al/