Konstituohet Kuvendi i Kosovës, zgjidhen nënkryetarët. Kurti: Do votojmë Vlora Çitakun, kurdo që PDK të kthehet në seancë

Kuvendi i Kosovës është konstituuar pas zgjedhjes së nënkryetarëve, ndërsa pozita që i takon Partisë Demokratike të Kosovës ka mbetur e paplotësuar për shkak të mungesës së deputetëve të kësaj partie në seancën konstituive.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, pas përfundimit të votimeve deklaroi se legjislatura e 11-të e Kuvendit të Kosovës konsiderohet tashmë e konstituuar. Ajo tha se, pavarësisht thirrjeve për pjesëmarrje, PDK-ja nuk ishte e pranishme në sallë.
Në këtë seancë, Kujtim Shala u zgjodh nënkryetar i Kuvendit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës me 75 vota pro. Nga komuniteti serb, Tanja Vujoviq u zgjodh nënkryetare me 62 vota pro, gjashtë kundër dhe tri abstenime.
Ndërsa Emilija Rexhepi u zgjodh nënkryetare nga radhët e komuniteteve joshumicë joserbe, me 70 vota pro dhe shtatë abstenime.
Me përfundimin e votimit, Haxhiu konstatoi zyrtarisht konstituimin e Kuvendit dhe njoftoi deputetët se do të vijojë procesi për formimin e grupeve parlamentare.
PDK-ja kishte njoftuar paraprakisht se nuk do të merrte pjesë në vazhdimin e seancës dhe kishte tërhequr përkohësisht kandidaturën e Vlora Çitakut për nënkryetare, duke pritur një vendim të Gjykatës Kushtetuese.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha pas konstituimit se posti i dytë i nënkryetarit i takon PDK-së dhe se LVV-ja është e gatshme ta mbështesë Vlora Çitakun sapo kjo parti të rikthehet në seancë dhe ta propozojë atë.
“U bë mirë që u konstituua Kuvendi”, tha Kurti, duke theksuar se kandidatura e Çitakut do të votohet nga LVV-ja në momentin që PDK-ja vendos të marrë pjesë në proces.
Ndërkohë, ministri në detyrë i Financave dhe deputeti i LVV-së, Hekuran Murati, e cilësoi konstituimin e Kuvendit si një hap përpara për funksionalizimin e institucioneve.
Murati kritikoi PDK-në për mospjesëmarrjen në seancë, duke argumentuar se kjo parti kishte kërkuar vazhdimisht konstituimin e Kuvendit, por nuk ishte e pranishme në ditën kur procesi u përmbyll.
Sipas tij, LVV-ja vendosi të votojë kandidatët e partive të tjera për nënkryetarë në mënyrë që të mos lejohej bllokimi i mëtejshëm i institucioneve dhe vendi të mos shkonte sërish në zgjedhje.
Pas votimit të Kujtim Shalës, Murati tha se LVV-ja pret që LDK-ja të reflektojë edhe për çështjen e zgjedhjes së presidentit.
“Pas hapit të sotëm nga ana jonë, që ta votojmë nënkryetarin e tyre, konsiderojmë që do të ketë reflektim edhe nga ana e deputetëve individualë të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, tha Murati.
/rtsh.al/