Konsulli grek mbron deklaratat

Konsulli grek në Korçë, Theodhoros Ikonomus mbrojti deklaratën e tij për regjistrimin mbi baza etnike, pas largimit nga Shqipëria.
Në një intervistë për mediat greke, Konsulli Ikonomus deklaroi se thirrjet e tij mbështeten nga shumë grekë në Korçë.
"Nuk tërheq asgjë nga ato që kam thenë për grekët dhe për Vorio Epirin. Unë s`bëra më shumë sesa detyrën time dhe ishte pikërisht kjo arsyeja pse unë u tërhoqa në Athinë, por jam i lumtur se deklaratat e mia ia arritën qëllimit. Kam qenë gjithmonë i vetëdijshëm për misionin tim. Unë punova në Epirin e Veriut” është shprehur diplomati grek, duke iu referuar me këtë term, Korçës, qytetit ku ka punuar në krye të konsullatës.
Sipas Ikonomus, regjistrimi i popullsisë në Shqipëri është e vetmja shpresë për bashkimin e Greqisë me Vorio Epirin.
Athina zyrtare i komunikoi dje Konsullit të saj tërheqjen nga detyra në shtetin shqiptar, pikërisht për shkak të deklaratave të tij nacionaliste.