Konsultim publik për Ligjin e statusit të ushtarakut, Vengu: Rrisim pagat në standardet e NATO-s

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka zhvilluar një konsultim publik me përfaqësues nga shoqatat e ish-ushtarakëve, ku u diskutua për projektligjin e statusit të ushtarakut. Vengu theksoi se ky projekt ka një qasje gjithëpërfshirëse dhe synon të bëjë Forcat e Armatosura më tërheqëse për të rinjtë, duke ofruar mbështetje financiare, formim profesional dhe ndihmë sociale për familjet e ushtarakëve në lirim.
Ministri shtoi se pagat për ushtarët janë rritur ndjeshëm, duke i bërë ato më të larta se në rajon. Ai po ashtu njoftoi se ka një plan ambicioz për të rritur pagat sipas standardeve të NATO-s për 4 vitet e ardhshme.
“Kemi qasje gjithëpërfshirëse ku synojmë të krijomë instrumentet për të bërë FA më tërheqëse për të rinjtë, qoftë me ndihmesën financiare dhe formimin profesional në karrierë dhe mbështetjen financiare dhe sociale për familjarët e ushtarakëve në lirim. Kemi bërë një proces transparent të projektligjit ku i është nënshtruar edhe konsultimit publik dhe jemi në fazën përmbyllëse për të dhënë komentet përfundimtare para miratimit në Kuvend. Sot kemi 5-fish më shumë rekrutime se para 10 vitesh. Gjithashtu pagat janë rritur ndjeshëm. Kishim pagat më të ulëta në rajon tani kemi pagat më të larta në rajon dhe synimi është që për 4-vjeçarin e ardhshëm të rrisim pagat sipas standardeve të NATO-s. Kjo është një rritje ambicioze, por kjo nuk mjafton prandaj kemi projektligjin për statusin ushtarak”, tha Vengu.
Një tjetër iniciativë e projektuar është krijimi i “shtëpive të oficerëve” në 12 qendrat e qarqeve, ku do të ofrohen ambiente dinjitoze dhe mundësi për programet ditore të mbuluara nga Ministria e Mbrojtjes.
“Kemi në projekt për të 12 qendrat e qarqeve që të kemi një shtëpi oficerësh ose minimalit disa ambiente dinjitoze ku ju mund të keni një program ditor të mbuluar nga ministria e mbrojtjes. Do i kemi në të gjitha qendrat e qarqeve dhe aty ku kemi përqendrim të forcave ushtarake”, u shpreh ministri.
/rtsh.al/