Rrjedhje e sekreteve në SHBA – Planet e sulmit ndaj Jemenit dalin online, përfshirë një gazetar

Pak para se SHBA të sulmonte rebelët Huthi të Jemenit, zyrtarë të lartë të administratës së presidentit Donald Trump zbuluan planet për këtë sulm në një grup chat-i ku ishte përfshirë edhe gazetari Jeffrey Goldberg, që është edhe kryeredaktori i The Atlantic. Ai ka bërë me dije se, më 13 mars, ishte ftuar të bashkohej në një grup chat-i të enkriptuar në aplikacionin Signal, pasi, mesa duket, këshilltari i sigurisë kombëtare, Majk Walts, i kishte kërkuar zëvendësit të tij të ngrinte një ekip për koordinimin e veprimeve kundër Huthëve.
Disa orë para se të niste sulmi më 15 mars, sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, kishte postuar në grup detaje të planit të sulmit, përfshi informacione për shënjestrat apo armët që do të dislokoheshin nga SHBA. Sipas Goldberg, në grup ishin të përfshirë edhe llogari që dukej se i përkisnin zëvendëspresidentit Xhei D. Vance, sekretarit të Shtetit Marko Rubio, kreut të CIA-s Ratcliffe, drejtoreshës së Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, dhe sekretarit të Thesarit, Scott Bessent.
Vetë gazetari përdorimin e një chat-i në Signal për veprimtari të nivelit kaq të lartë e cilësoi jo vetëm si të pakujdesshëm, por edhe tronditës. Në mesazhet e tyre në grup, zyrtarët e lartë amerikanë kanë folur gjithashtu edhe për Europën, të cilën e kanë cilësuar si “patetike”.
Pas nxjerrjes së këtij lajmi, ligjvënësit demokratë u shprehën se ishte cënuar siguria kombëtare, çka duhej të hetohej nga Kongresi. Shtëpia e Bardhë pranoi se grupi i chat-it ishte autentik, por ndërkohë u shpreh se gazetari, mesa duket, ishte përfshirë padashje në të dhe po hetohej se si kishte ndodhur kjo.
Ndërkohë, sekretari i Mbrojtjes Hegseth mohoi shpërndarjen e planeve të luftës në grup. “Askush nuk po dërgonte mesazhe për planet e luftës. Kjo është e gjitha që mund t’ju them,” u shpreh ai për gazetarët. Goldberg, ndërkohë, u kundërpërgjigj duke thënë se sekretari i Mbrojtjes po gënjente dhe se ai kishte shpërndarë materiale për planet e luftës në grupin e chat-it në Signal.
RTSH