Kontesti i emrit, Gruevski: S`do pranojmë asnjë propozim që prek identitetin tonë
Ndërsa presioni i BE dhe SHBA mbi Shkupin sa i përket çështjes së emrit me Greqinë është rritur, kryeministri maqedonas Nikola Gruevski duket i palëkundur nga qëndrimi i tij.
Gjatë një seance në parlamentin maqedonas Gruevski u pyet nga deputeti i Partisë Liberale Ivon Veliçkovski për propozimin e fundit të ndërmjetësit Metju Nimic.
Por kryeministri maqedonas përsëriti të njëjtin qëndrim se nuk do të pranojë asnjë lloj propozimi që do të prekte identitetin, gjuhën, kulturën dhe kombin maqedonas.
“Nimic, herë pas here ofron ide se si të kapërcehen dallimet mbi emrin. Ky është edhe mandati i tij si ndërmjetës i emëruar nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së. Për aq kohë sa do të gjykojmë se ato ide të shpalosura mund t’i shkaktojnë dëm procesit, normalisht atëherë do të përmbahemi nga publikimi”, deklaroi Gruevski.
Sipas tij nuk do të lejohen ndryshime kushtetuese që kanë për qëllim ndërrimin e emrit kushtetues.
Kohë më parë propozimin e Nimicit u zbardh fillimisht nga lideri i BDI-së Ali Ahmeti, ndërsa edhe ministri i jashtëm Nikolla Popovski në një intervistë për mediat gjermane tha se propozimi i fundit i Nimicit është bazë e mirë për gjetjen e zgjidhjes me Greqinë.