Kontesti i emrit, Nimiç: Negociatat mes dy palëve ishin konstruktive

Ndërmjetësi i OKB-së për emrin, Metju Nimiç ka theksuar se do të udhëtojë nga muaji i ardhshëm në Shkup dhe Athinë për të vazhduar negociatat për kontestin e emrit të Maqedonisë.
Nimiç dy ditë më parë zhvilloi raudin e radhës të negociatave për emrin me palët negociuese nga Maqedonia dhe Greqia, ku pas takimeve me negociatorët Adamantios Vasilakis dhe Zoran Jolevski, ai vlerësoi se takimet ishin konstruktive.
"Dyja palët kanë prezentuar pozicionet e tyre momentale të qeverive të tyre për kontestin e emrit. Diskutimet tona kanë qenë të frytshme dhe të fokusuara në gjetjen e një mundësie optimale për të ecur procesin përpara në mënyrë konstruktive", theksoi Nimiç.
Ndërmjetësi i OKB-së shprehu besimin për një përkushtim më të madh të të dyja palëve për gjetjen e një zgjidhje për emrin e Maqedonisë.