Kontrabanda e naftës, vërtetohen akuzat e Priftit

Prokuroria ka krijuar bindjen se deklaratat publike të ish-ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti për kontrabandën e naftës janë të vërteta dhe tashmë duhen dëshmi për të rikonfirmuar se përzierja e naftës D2 me “virgin” ndot apo jo ambientin. Hetimet janë në fazën e mbledhjes së dëshmive dhe dokumenteve, ndërsa njësia Task-Forcë deklaron se së shpejti priten personat e parë të pandehur për këtë skandal të denoncuar publikisht nga një deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Grupi hetimor ka thirrur për dëshmi ekspertë privatë për të përcaktuar nëse përzierja e naftës së importuar me naftën virgin dëmton automjetet dhe shëndetin, ndërsa sipas të njëjtave burime duhet të kryhet një provë për të përcaktuar këto dyshime. Paraprakisht prokuroria dyshon se midis dokumenteve të sekuestruara në disa institucione ka pasaktësi dhe mospërputhje shifrash, megjithatë hetimet e mëvonshme do të saktësojnë nëse bëhet fjalë për një vepër penale.
HetimetNjë litër naftë virgin shitej më pak se 1 USD. Pasi nxirrej nga nëntoka, nafta përpunohej nga kompania shtetërore “Albpetrol” dhe më pas i servirej kompanisë private ARMO. Kjo e fundit e magazinonte dhe e përpunonte me mjetet që janë në Shqipëri. Nga përpunimi përfitohej naftë D2 dhe mbetjet krijonin naftën virgin. Aksioneri kryesor i kompanisë ARMO, Rezar Taçi, gjatë dëshmisë në prokurori tha se kompania e tij nuk kishte asnjë interes që këtë naftë ta përpunonte, por ua shiste kompanive të tjera. Prokuroria dyshon se pikërisht këto kompani kanë arritur ta kontrabandojnë këtë naftë, e cila ishte shumë e keqe. Nga hetimi i Prokurorisë së Tiranës ka rezultuar se një pjesë e mirë e naftës virgin përzihej me naftën e importuar në Shqipëri dhe në këtë mënyrë u shtohej shqiptarëve me një çmim rreth 150 lekësh. Të fituara në këtë rast kanë qenë kompanitë private, të cilat shtonin litrat e naftës dhe të humbur në këtë rast janë shtetasit shqiptarë e vetë shteti. Mjetet amortizoheshin dhe ajri ndotej. Krahas kësaj skeme, hetuesit e njësisë Task-Forcë në Tiranë kanë marrë në pyetje zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë, pikërisht specialistë të hidrokarbureve, që kanë pasur informacione se çfarë ndodhte me këtë naftë. Disa prej tyre janë paraqitur pranë prokurorisë dhe kanë treguar se çfarë ndodhte me naftën. Ata kanë shpjeguar të gjithë mënyrën e nxjerrjes së naftës nga nëntoka, përpunimin e saj dhe shitjen në tregun shqiptar. Sipas tyre, fitimi i kompanive të hidrokarbureve është shumë i lartë. Burime nga njësia Task-Forcë thanë se specialistët e hidrokarbureve kanë treguar edhe detaje të vlefshme për itinerarin e kësaj nafte, e cila me shumë mundësi magazinohej në qytetet bregdetare në Shqipëri.
ItinerariOficerët e policisë gjyqësore, krahas marrjes në pyetje të ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, dhe aksionerit kryesor të ARMO-s, Rezar Taçi, janë ndaluar edhe në itinerarin e naftës virgin. Pasi nxirret nga “Albpetrol”, kjo sasi nafte u shitet dy kompanive private. Njëra kompani dyshohet se e tregton këtë naftë në qytetin e Vlorës dhe kompania tjetër e tregton naftën në qytetin e Durrësit dhe Lezhës. Pasi magazinohet në këto qytete, sasia e naftës “shkruhet” se del jashtë shtetit dhe duke falsifikuar të dhënat doganore, ajo u shitet pikave të tregtimit të naftës. Prokuroria dyshon se në kontrabandën e naftës virgin kanë “dorë” edhe doganat e tatimet, të cilat vjelin edhe të ardhurat nga taksa. Megjithëse marrin një pjesë të mirë, ata, pra doganorët dhe tatimorët, nuk shkruajnë që nafta po tregtohet ilegalisht në Shqipëri. Hetuesit thonë se akuzat e ish-ministrit të Ekonomisë po verifikohen nga njësia Task-Forcë dhe hetimet e mëvonshme do të përcaktojnë nëse do të merren ose jo në pyetje persona të tjerë për të vendosur më pas se kush prej tyre do të merret i pandehur.