E Diel, 1 Nëntor 2026

Dyshimet, Bushi pagoi 300 mijë euro për të vonuar ekstradimin

Gjykata “e fali” për dy vrasje 32-vjeçarin

Lirimi i fshehtë i Astrit Bushit, i cili dyshohet për vrasjen e një polici në Shqipëri dhe për vjedhje me armë e trafik droge në Spanjë e Itali, ka sjellë dyshime të reja për sistemin shqiptar të drejtësisë. 32-vjeçari mendohet se ka paguar 300 mijë euro te funksionarët shqiptarë, me qëllim për të vonuar procesin e ekstradimit të tij drejt Spanjës, shtet i cili ka kërkuar shqiptarin që në qershor të vitit 2009. Kështu shprehen mediat spanjolle pas arrestimit të Bushit, ndërkohë që ka reaguar edhe ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, duke u shprehur se tashmë “ai është kthyer në qeli”.

Nuk dihet sesa të vërteta janë dyshimet e ngritura nga spanjollët, por në agjencitë e tyre, ato shprehen se hetuesit dyshojnë që Astrit Bushi ka paguar 300 mijë euro ndonjë funksionari shqiptar, me qëllim që ai të vonojë procesin e ekstradimit. Nëse këto rezultojnë të vërteta, funksionari ia ka arritur qëllimit, deri dy ditë më parë, kur Bushi u riarrestua për të njëjtat akuza, pasi sistemi i drejtësisë shqiptare e kishte liruar me kusht. Madje, për kapjen e tij dhe për akuzat e medias spanjolle ka folur edhe ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani. Ministri deklaroi se “tani ai u kthye në burg, ndërkohë që kërkohet edhe nga drejtësia italiane”.

Sipas të dhënave, tashmë ai nuk do i shpëtojë më ekstradimit, pasi kërkohet nga dy shtete. Megjithatë, ne nuk kemi një marrëveshje ekstradimi me Spanjën. Sipas të dhënave, deri tani Astrit Bushi ka mundur të dalë i pafajshëm për dy vrasje. 32-vjeçari, i njohur nga media spanjolle si “tmerri i VIP-ave” në Spanjë pas vitit 2001, në Shqipëri njihej si person me precedent penal që nga viti 1998, ku nga “pakujdesia” vrau shokun e tij të ngushtë, Dritan Lekën, në një nga lokalet e qytetit të Laçit dhe më pas me vrasjen e paprovuar, sipas gjykatës të efektivit të FNSH-së, Altin Balozi. Sipas burimeve nga Prokuroria e Laçit, mësohet se i arrestuari Bushi, që në vitin 1998 është marrë në hetim nga prokuroria, për shkak se pas një dreke mes shokësh ka qëlluar shokun e tij të ngushtë. Hetimet e asaj kohe e vlerësuan si “vrasje nga pakujdesia”, ndërsa me ndihmën e një të afërmi të viktimës që tërhoqi ankimin, i arrestuari Bushi i shpëtoi burgut. Dyshime për përfshirje në veprimtari penale të të arrestuarit nuk kishin të ndaluar këtu, pasi në qytetin e Laçit ai njihej si një nga “çunat e fortë” të këtij qyteti.

Pas një mitingu, ai tentoi t’i ikte FNSH-së në Laç, por aksidentoi një vajzë. Më pas, FNSH-ja qëlloi ndaj makinës së tij dhe mbeti i vrarë vëllai Agron Bushi. Për këtë, Bushi fajësoi Altin Balozin, polic i FNSH-së. Më 7 mars 2001, ai kthehet nga arratia dhe dyshohet se një ditë më vonë, pasdite, qëllon me kallashnikov policin Balozi, duke e lënë të vdekur. Në atë kohë, menjëherë pas vrasjes, Bushi, sipas prokurorisë, ka shkuar në varrezat e qytetit, duke shtënë në ajër me armë, si shenjë lajmërimi për larjen e gjakut. Pas vrasjes, Bushi është larguar nga Shqipëria. Gjykata e Laçit e dënoi atë me 25 vjet burg. Por Apeli e la të lirë, ndërkohë që prokuroria bëri rekurs në Gjykatën e Lartë, po që u pushua gjatë këtij viti, pasi organi i akuzës nuk kishte provat e mjaftueshme. Megjithatë, Bushi u dënua me 2 vjet e gjysmë burg për armëmbajtje pa leje, pasi në qershor të vitit 2009 u kap me pistoletë. Në shtator, ai u la i lirë me kusht, pasi gjykata argumentoi se duhej të kujdesej për fëmijën, pasi bashkëshortja e tij nuk kishte mundësi financiare. Me të gjitha këto dyshime, drejtësia shqiptare nuk ka mundur të vërtetojë asgjë kundër Bushit, duke të lënë të mendosh se do vijë sërish lirimi i tij edhe pas arrestimit të dy ditëve më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›