Kontraceptivë për nxënësit e shkollave të mesme

Çdo vit në Nju Jork, mbi 2 mijë e 500 vajza nën moshën 18 vjeçare lindin fëmijë dhe shumë prej tyre lënë shkollën. Kështu zyrtarët filluan vitin e kaluar një program që i vë në dispoizicion kontraceptivët hormonalë në 13 shkolla të mesme me përqindje të lartë shtatzënie.
Prezervativët janë shpërndarë prej kohësh, por tani vajzat mund të kërkojnë kontraceptivë me shiringa, ose Plan B, një kontraceptiv që merret pas marrëdhënieve seksuale të pambrojtura. Kryetari i Bashkisë Michael Bloomberg thotë se programi është i nevojshëm.
“Ana pozitive është që e kemi ulur rreth 25 për qind shtatzëninë mes adoleshenteve në 10 vitet e fundit. Ana negative është se akoma ka plot vajza që mbeten shtatzënë në moshë të re”.
Michele Handelman është mami dhe nënë e dy nxënësve të shkollës së mesme. Ajo thotë se ligji i Nju Jorkut u jep adoleshentëve të drejtën të marrin kontraceptivë dhe të abortojnë pa njoftuar prindërit.
“Ata kanë të drejtën të marrin kujdes shëndetësor falas dhe në mirëbesim për të parandaluar infektimet, të bëjnë analiza për HIV-in dhe të mbrojnë veten nga shtatzënia”.
Prindërit kanë të drejtën t’i nxjerrin fëmijët e tyre nga programi. Por Mona Davids, kryetare e Bashkimit të Prindërve të Nju Jorkut tha se shumë prindër nuk janë informuar.
“Nuk është e drejtë që kryetari i bashkisë Bloomberg dhe Departamenti i Arsimit të anashkalojë të drejtat tona dhe të lejojë fëmijët tanë të marrin një kombinim kimik-hormonal ilaçesh pa miratimin tonë”.
Ajo thotë se shkollat nuk mund të japin ilaçe të tjera, as aspirinë madje pas lejen e prindit dhe se efektet afatgjata të kontraceptivëve hormonalë janë të panjohura.
Por zonja Handelman thotë se këta kontraceptivë nuk janë të rrezikshëm.
“Nuk kanë estrogjen, një përbërës që mund të shkaktojë mpirje të gjakut, kështu që nuk përbëjnë asnjë rrezik për sa u takon efekteve anësore. Pa diskutim që shtatzënia është rrezik më i madh”.
Para një shkolle të mesme në Manhattan, nxënëset kishin mendime të ndryshme.
“Unë personalisht nuk do doja që prindërit ta merrnin vesh”.
“Unë mendoj se duhet t’u themi prindërve se ne nuk jemi plotësisht të zhvilluar”.
“Prindërit duhet të lejojnë vajzat e tyre që të bëjnë këtë gjilpërë sepse jeta e tyre do të shkatërrohej po të kishin një fëmijë në moshën 16 vjeçare”.
Mona Davids gjithsesi thotë se ka një mënyrë më të mirë për të parandaluar shtatzëninë.
“Nëse kryetarit të Bashkisë Bloomberg i intereson vërtet të frenojë shtatzëninë mes adoleshentëve, ai duhet të investojë në shkollat tona, të shtojë buxhetin për to, që ata të kenë programe pas shkollore dhe aktivitete jashtë shkollore”.
Davids thotë se organizata e saj ka në plan të paraqesë aktpadi për të drejtën e lejes së prindit.