Kontributi i shqiptarëve në shkencat kuranore, Myftiu Sytari: Dijetarët shqiptarë, rol të rëndësishëm gjatë periudhës osmane

Kontributi i autorëve dhe dijetarëve shqiptarë në zhvillimin e shkencave kuranore gjatë periudhës osmane ishte tema e një bashkëbisedimi të zhvilluar në oborrin e Xhamisë së Plumbit në Shkodër. Aktiviteti mblodhi studiues, klerikë dhe të interesuar për historinë e trashëgimisë islame shqiptare.
Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, u shpreh se shqiptarët luajtën një rol të rëndësishëm në Perandorinë Osmane, duke ruajtur njëkohësisht etnogjenezën dhe identitetin e tyre.
Sytari renditi një numër të konsiderueshëm dijetarësh shqiptarë që u shquan në fushën e dijes islame dhe vlerësoi traditën e hoxhallarëve të Medreseve të Shkodrës, të cilët për vite me radhë dhanë mësim pa pagesë, si pjesë e një trashëgimie të dokumentuar.
“Unë ndal tek një shkrim i Sali Vuçernit. Duke marrë parasysh se Shkodra, që vetë unë e zgjodha me i siguruar Medresesë së re personelin me mësuese të ndershëm e të zotë të cilët ka dy vjet që veprojnë rregullisht në të dhënurin mësim gratis”, u shpreh Myfti i Shkodrës
Autori i librit “Kontributi i autorëve shqiptarë në fushën e shkencave kuranore gjatë periudhës osmane”, studiuesi Ferid Piku theksoi se për të kuptuar nivelin e dijes dhe të dijetarëve të kohës osmane duhet parë roli i medreseve si institucionet më të larta arsimore.
“Shkodra sa i përket Shqipërisë tonë të vogël ndoshta ka patur Medresenë me nivelin më të lartë. Në këtë vend ku jemi ka qenë Medreseja e Qafës, nga medreset më cilësore në trojet tona dhe kjo i shkon shpirtit të bushatllinjëve. Ata njerëz që kanë qenë jo thjesht njerëz të pushtetit por kanë qenë njerëz të diturisë”, tha Piku.
Studiuesi Piku, në shënimet e tij, thekson se hulumtuesit e rinj duhet të vazhdojnë kërkimet dhe të hedhin më shumë dritë mbi veprën dhe kontributin e hoxhallarëve e dijetarëve shqiptarë gjatë periudhës Osmane.
Gazetar: V. Omari
/rtsh.al/